Qeveria britanike tha se po heton rrjedhjen e dokumenteve të fshehta, në të cilat, ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara kritikon administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e quajtur atë të “ngathët” dhe të “paaftë”.
Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme britanike, i tha agjencisë DPA, se një hetim formal do të fillojë lidhur me këtë nxjerrje të informacioneve të fshehta.
Në dokumentet që publikoi gazeta britanike “The Mail”, të cilat datojnë nga viti 2007 deri në ditët e sotme, ambasadori Kim Darroch ka thënë se administrata Trump është “e ngathët dhe e paaftë në diplomaci” dhe nuk do të mund të bëhej “më normale në thelb, më pak jofunksionale dhe më pak e paparashikueshme”.
Sipas gazetës, ambasadori Darroch e përshkruan zotin Trump si një person që “rrezaton pasiguri” dhe që është “jokompetent”.
Megjithatë, ambasadori i paralajmëron zyrtarët britanikë që të mos medojnë se zoti Trump nuk ka shanse për rizgjedhje, duke thënë se presidenti ka përcaktuar një “rrugë të besueshme” për të siguruar katër vjet të tjerë në Shtëpinë e Bardhë.
Gazeta “The Mail” shruan se ambasadori britanik paralajmëron se zoti Trump mund të “dalë nga zjarri i paprekur, sikurse Arnold Schëarzeneggeri në skenat e filmit “The Terminator”.
Ministria e Jashtme britanike nuk i ka mohuar komentet e botuara në gazetë. Një zëdhënëse tha se ambasadorët pritet t’i “japin vendit të tyre një vlerësim të ndershëm të politikës për vendet ku ata shërbejnë.
“Ne i paguajmë ata që të jenë të sinqertë”- tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme britanike.
Ndërsa presidenti Trump duke folur për gazetarët, tha se ambasadori Darroch “nuk i ka shërbyer mirë vendit të tij”.
“Ne nuk jemi admirues të atij njeriu”, tha presidenti.