Muzeu Historik Kombëtar, në kuadër të hapjes të ekspozitës lëvizëse “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” në Muzeun Arkeologjik të Durrësit organizoi edhe promovimin e dy botimeve për qytetarët e Durrësit. Botimi i parë që u promovua është monografia “Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918”, një punim me 20 kumtesa që përfshijnë kontributet austriake në themelimin e një administrate publike moderne, politika austro-hungareze në rajon, ndikimet në stabilitetin financiar, krijimin Komisisë Letrare, zhvillimet urbane, gërmimet arkeologjike në Apoloni e themelimin e Muzeut Kombëtar etj. Dhe botimi i dytë ishte katalogu i ekspozitës fotografike “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, hapur në muajin janar 2018 në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri në Muzeun Historik Kombëtar. Aktiviteti u përshëndet nga drejtori i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, z. Alban Ramohitaj dhe prezantimi i monografisë “Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918” si dhe katalogu i ekspozitës fotografike “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918” u bë nga dr. Skënder Bushi, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar. Botimi i parë “Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918”, një punim me 20 kumtesa u botua një vit pas përfundimit të konferencës. Në konferencën shkencore morën pjesë studiues të shumtë të shkencave të albanologjisë, vendas dhe të huaj si: prof. dr. Paskal Milo, prof. dr. Anila Omari, prof. dr. Valentina Duka, prof. dr. Luan Përzhita, prof. ass. Ledia Dushku, prof. dr . Aljula Jubani, etj. Ekspozita fotografike “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” përmban 60 fotografi të realizuara nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë. Nëpërmjet fotografive paraqiten aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë; 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra, 2 fotografi nga Berati, 2 fotografi nga Fieri, 2 fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918.