Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur dje dhe ka vendosur që Kategoria Superiore të fillojë më 24 gusht dhe të mbyllet me 23 maj, në një edicion i cili do të jetë i veçantë pasi sheh të kthehet play-off për mbijetesën. FSHF ka vendosur që të mos ndryshojë skemën e garës, duke e ruajtur me atë me 10 skuadra pjesëmarrëse. Por ndërkohë, ka shtuar vështirësinë sa i përket mbijetesës në elitën e futbollit shqiptar. Kështu, në skemën e re, skuadra e vendit të 8 do të shkojë në play-out ndaj një ekipi që del nga play-off i Kategorisë së Parë. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, Komiteti Ekzekutiv ka diskutuar në lidhje me disa çështje të rëndësishme të përcaktuara në rendin e ditës, duke miratuar disa propozime si miratimin e datave për fillimin dhe mbarimin e kampionateve të Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë, Kategorisë së Dytë, Kategorisë Superiore U-17 dhe U-19 si dhe Kategorisë së Parë U-17 dhe U-19. Në mbledhjen Miratoi ndryshime në strukturën e Kategorisë Superiore, ndryshime në skemën dhe strukturën e Kategorisë së Parë, ndryshime në skemën dhe strukturën e Kategorisë së Dytë, krijimin e Kampionatit Kombëtar për U-15, refuzimin e kërkesës së bërë nga Liga për shtimin e numrit të të huajve nga 4 në 5 lojtarë dhe mbulimin e shpenzimeve për arbitra dhe delegatë nga FSHF për të gjithë kampionatet Rajonale dhe Kombëtare, shpenzime që deri më tani paguheshin nga skuadrat pjesëmarrëse. Komiteti Ekzekutiv në këtë mbledhje të datës 5 Korrik 2019 vendosi dhe shtyrjen e mbledhjes se Komisionit të Licensimeve të klubeve për dhënien e licensave të Kategorisë Superiore për edicionin 2019-2020. Komiteti Ekzekutiv i FSHF miratoi strukturat dhe skemat për Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë nga sezoni ardhshëm deri në sezonin 2022-2023. Nga sezoni 2019-2020 nga Kategoria Superiore do të zbresin direkt dy skuadra vendi i 9 dhe i 10-të. Ndërsa vendi 8-të do të luajë një play-out me fituesen e play-offit të Kategorisë së Parë. Play-offi i Kategorisë së Parë është produkt i vendeve të dyta të Grupeve A dhe B në këtë kategori, të cilat do të luajë një ndeshje finale ndërmjet tyre për të shpallur fituesen që do të luajë me vendin e 8-të të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e skuadrës që është renditur në vendin e tetë të Kategorisë Superiore. Kategoria Superiore do të fillojë më datë 24 Gusht 2019 dhe do të mbyllet më datë 23 Maj 2020. Kategoria e Parë në sezonin 2019-2020 ka strukturën me 20 skuadra. Dy grupe A dhe B me 10 skuadra dhe luhen 2 faza të rregullta me 18 ndeshje. Në fazën e tretë play-off për tu ngjitur në Kategorinë Superiore luajnë skuadrat e renditura nga vendi i parë deri në vendin e katërt. Ndeshjet luhen me sistem vajtje-ardhje. Pikët e grumbulluar në dy fazat e para do të llogariten të plota në këtë fazë. Skuadrat që renditen të para ne grupet A dhe B ngjiten menjëherë në Kategorinë Superiore. Skuadrat e renditura në vendin e dytë në Grupet A dhe B do të luajnë ndeshje finale me një takim për të përcaktuar skuadrën e cila do të luajë ndeshje play-off me një takim me skuadrën e renditur ne vendin e tete te Kategorise Superiore. Faza e tretë play-out që do të përcaktojë skuadrat që do të zbresin në Kategorinë e Dytë. Në këtë fazë luajnë skuadrat e renditura nga vendi i pestë deri në vendin e 10 dhjetë. Ndeshjet luhen me sistem vajtje-ardhje. Pikët e grumbulluara në dy fazat e para do të llogariten të plota në këtë fazë. Vendi i nëntë dhe vendi i dhjetë i grupeve A dhe B zbresin menjëherë në Kategorinë e Dytë. Vendi i 8 tetë i grupit A do të luajë ndeshje play-off me vendin e dytë të Kategorisë së Dytë, Grupi B. Vendi i 8 tetë i grupit B do të luajë ndeshje play-off me vendin e dytë të Kategorisë së Dytë, Grupi A. Kategoria e Parë do të fillojë më datë 14 Shtator dhe do të përfundojë në datë 16 Maj. Skema e Kategorisë së Parë për katër sezonet e ardhshme do të jetë: Sezoni 2019-2020 me 20 skuadra; sezoni 2020-21 me 18 skuadra; sezoni 2021-2022 me 16 skuadra, ndërsa sezoni 2022-2023 me 14 skuadra.