Napoli sfidon Interin për Mauro Ikardin, De Laurentis i ofron pagë 10 milion euro në sezon argjentinasit

0
350

Një luftë e ashpër do të jetë në këtë merkato verore mes Juventusit dhe Napolit për të përfituar shërbimet e bomberit zikaltër Mauro Ikardi. Argjentinasi është në merkato, teksa klubi i Interit ka vendosur ta largojë sulmuesin pas situatës që u krijua në sezonin e shkuar, ndërkohë argjentinasi nuk është as në planet e Antonio Kontes. Tekniku i ri i zikaltërve kërkon një grup të bashkuar futbollistësh, teksa sulmuesi mund të krijojë sërish tension mes shokëve të skuadrës. Në këtë formë, drejtuesit po shikojnë alternativat, edhe pse duhet thënë se pretendentët për Ikardin janë me pikatore. Këtu ndikon edhe fakti se lojtari e ka bërë të qartë se kërkon të vazhdojë karrierën sërish në Seria A. Dhe duke parë situatën për momentin vetëm dy klube mund t’i përballojnë shpenzimet për sulmuesin, Napoli dhe Juventusi. Për bardhezinjtë, 26-vjeçari është një objektiv i vjetër dhe drejtori sportiv, Paratiçi ka nisur punën, teksa pretendohet se është takuar me agjenten dhe njëkohësisht gruan e Ikardit, Uanda Nara. Ndërkaq, nga ana tjetër edhe Napoli nuk mbetet pas me lëvizjet për sulmuesin. Në fakt, edhe Interi preferon ta dërgojë Ikardin në Napoli, për të mos përforcuar një rival historik si Juventusi. Të kaltrit kanë hedhur hapin e parë drejt lojtarit, teksa sipas mediave italiane, presidenti De Laurentis është i gatshëm t’i ofrojë një pagë prej 10 milionë euro në sezon. Ndërkaq, për të bindur Interin, fillimisht napoletanët duhet të shesin dhe më pas do të provojnë ofertën drejt zikaltërve. Ndërkohë kujtojmë se dy ditë më parë në mediat u tha se drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratiçi kishte takuar në Ibiza, Uanda Narën, agjenten dhe njëkohësisht gruan e Mauro Ikardit. Tashmë, është e ditur se Ikardi do të largohet nga Interi pas zënkave mes tij dhe klubit në sezonin e shkuar, ndërsa nuk preferohet as nga tekniku i ri Antonio Konte. Megjithatë, Uanda Nara në rrjetet sociale ka lëshuar disa herë mesazhe të koduara, të cilat kanë krijuar zhurmë. Këtë herë, Uanda është shprehur se: “ Të gjithë dukemi të këqij, në një histori të keqe”. Ndërkohë merkatoja e verës do të jetë shumë e nxehtë mes zonjës së vjetër dhe të kaltërve për të përfituar shërbimet e argjentinasit. Klubi napolitan po ndjek një strategji të re këtë vit. Ancelotti i ka kërkuar presidentit De Laurentis që të shesë të gjithë lojtarët që nuk i nevojiten dhe shumën e përfituar nga shitja e tyre ta përdorë për të ofruar elementë të tjerë që i duhen trajnerit. Diaëara, që u largua për të luajtur te Roma, është vetëm i pari i një liste të gjatë lojtarësh që do të largohen këtë verë nga Napoli. Nga kjo listë e gjatë, presidenti Aurelio De Laurentiis pritet të arkëtojë 100 milionë euro. Shumë e cila më pas do të përdoret sërish në merkato, për të sjellë në dispozicion të trajnerit Carlo Ancelotti lojtarët e kërkuar prej tij. Lojtarë me të cilët Napoli më pas do të përpiqet të rivalizojë me Juven në Serinë A sezonin e ardhshëm. Ancelotti nuk dëshiron të ketë në dispozicion në grumbullim lojtarë të tepërt, ndaj shumë prej atyre nën kontratë do të largohen. Sipas të përditshmes italiane “Il Mattino”, presidenti napoletan synon të arkëtojë këtë shumë nga shitja e Mario Rui, Hysaj, Verdi, Ingleze, Tonelli etj. Pra, një listë e gjatë lojtarësh që do të thonë “lamtumirë”, nga largimi i të cilëve pritet të mbushet arka e Napolit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here