Shfaqja e baletit “Takohemi në Moulin Rouge” vjen mbrëmjen e sotme në skenë me emra të mëdhenj të skenave botërore. Në amfiteatrin e Tiranës pritet të performojnë artistë të njohur nga Moska, Kiev, Berlin, Havana, Milano, Tokio, Athinë, Sofje dhe Amsterdam. Drejtor artistik i shfaqjes Arian Sukniqi shprehet se do të jetë një mbrëmje madhështore nën magjinë e artit botëror. Sipas tij, repertori i shfaqjes është dy pjesësh, klasik por edhe modern. “Do të jenë Pa De Deux nga baleti “Liqeni i Mjelmave”, “Don Kishoti”, “Arrëthyesi”, “Zhizel” etj, si dhe pjesë moderne nga koreografët më të mirë në botë si Nacho, Duato, Zanela, Ginzales, Prelocaj, etj”, shprehet mes të tjerave Sukniqi. Sipas tij, kjo shfaqje është në një dimension, e cila do të lërë shumë gjurmë tek publiku shqiptar, por edhe një mundësi reale edhe për balerinët e rinj, që do të kenë mundësi ti shohin live idhujt e tyre. Më tej drejtori artistik Arian Sukniqi shton se si iniciativë kjo i jep zemër shumë agjencive artistike, por edhe ndërkombëtarizon amfiteatrin e Tiranes, si një nga destinacionet artistike në një shtet si Shqipëria, ku kemi 230 ditë diell. “Mos u çuditni fillimi është fantastik, kështu kanë filluar në çdo institucion dhe nëse është zhvilluar me mend në kokë, me dashuri dhe pasion sot kanë bërë histori. Deri tani shtypi vendas i ka bërë jehonë të jashtëzakonshme. Për këtë event rreth 25 bileta janë shitur online në Serbi, Slloveni dhe Mal i Zi”, shprehet mes të tjerave Arian Sukniqi, drejtor artistik. Duke folur për shfaqjen “Moulin Rouge” shprehet se artistët e huaj zgjodhën të vijnë në Shqipëri si një kuriozitet gjeografik, por u bindën edhe nga i gjithë përkushtimi dhe nga garancitë që gjetën në vendin tonë.
Artistët në skenë
Kjo shfaqje është e propozuar nga shoqata “Mega Art”, e cila kish konceptuar një shfaqje baleti në amfiteatër dhe sipas drejtorit artistik Arian Sukniqi bëri edhe kërkesë më parë. “Sigurisht na pëlqeu shumë ideja, ku nuk ishte shfaqje balet për balet, por një gala, e cila donte të mblidhte disa kërcimtarë profesionistë nga disa vende të Europës! Një shfaqje e tillë nuk është bërë kurrë në Shqipëri, ku shtatë çifte të huaja u bënë bashkë për një shfaqje në vendin tonë. Kjo ide, që u përqafua nga ne na dha të drejtë, sepse nga verifikimet konstatojmë që do të jetë një shfaqje me shumë nivel”, vijon drejtori artistik për këtë shfaqje që sonte do të jetë në skenën e amfiteatrit të Tiranës. Sukniqi tregon se në Europë janë disa agjenci, të cilat menaxhojnë balerinët profesionistë si solistë dhe i organizojnë shfaqjet nëpër teatro në botë. “Pas bisedave gati tetë mujore u arrit akordi pasi këta datën 5 korrik e kishin të lirë dhe kështu u kombinuan për të ardhur në amfiteatrin e Tiranës. Një shfaqje e tillë kudo në Europë paguhet 100 euro e lart dhe me rezervime 1 vjeçare”, tregon Sukniqi, drejtor artistik. Por sipas tij, skena e teatrit veror këtë natë do ti ngjasojë një skene gjigande teatri të mbyllur. “I gjithë baleti në background do të ketë projeksion 3D”, tregon Sukniqi. Ky projekt është mbështetur nga Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës, APR, si dhe të tjerë donatorë. Nga 30 maji 2018, amfiteatri i Tiranës i rindërtuar, pajisur me një skenë të mbuluar e me ndriçim të përshtatshëm, mirëpret artdashësit me një kalendar të pasur aktivitetesh artistike e kulturore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të parkut në një pikë të rëndësishme për qytetarët.
Nga Julia Vrapi








































