Saimir Vishaj kundër Metës: KLGJ është institucion i pavarur, presidenti nuk ka rol për të përzgjedhur trupën e Gjykatës së Lartë

0
335

Eksperti i monitorimit të reformës në drejtësi Saimir Vishaj u shpreh ditën e djeshme se Këshilli i Lartë Gjyqësor është institucion i pavarur, duke rrëzuar kështu presidentin Ilir Meta. Ky i fundit i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor dy ditë më parë informacion për vakancat e Gjykatës së Lartë. Në një prononcim për media, Vishaj tha se Meta ka të drejtë të kërkojë llogari vetëm nga institucionet që varen nga ai, duke shtuar se Këshilli i Lartë Gjyqësor është një institucion që nuk varet as nga presidenti dhe as nga partitë politike. Sipas tij, kreu i shtetit nuk ka më rol për të zgjedhur gjyqtarët të cilët janë kandidatë për të qenë pjesë e trupës së Gjykatës së Lartë. “Ai mund t’i kërkojë llogari institucioneve që varen drejtpërsëdrejti nga ai, ose që emërohen drejtë për së drejti nga ai. Këshilli i Lartë Gjyqësor është pushtet i pavarur, qoftë nga presidenti i Republikës, Partia Socialiste apo Partia Demokratike. Ne duhet të mësojmë që iku koha kur presidenti i Republikës emëronte e dekretonte. Aktualisht Presidenti i Republikës nuk ka më rol aktiv në zgjedhjen e kandidatëve për të qenë pjesë e trupës së Gjykatës së Lartë”, deklaroi Saimir Vishaj. Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka kërkuar mendim misionit për gjetur një zgjidhje në kushtet kur aktet nënligjore për ngritjen dhe emërimin e gjyqtarëve janë ende në proces. Euralius në opinionin e tij jep tre zgjidhje të ngërçit. Opinioni i parë ka të bëjë me delegimin e gjyqtarëve nga një gjykatë tjetër me e ulët. Një tjetër variant është ajo e transferimit të përkohshëm të gjyqtarëve. Ndërsa skema e tretë është ajo e caktimit të një gjyqtari për gjykimin në një çështjeje të caktuar gjyqësore në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë që dy ditë më parë, Presidenti i Republikës Ilir Meta i cilësoi këto tre variante të Misionit Euralius si cenim të kompetencave të kreut të shtetit, duke shtuar më tej se ato bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here