Kryetari i Prokurorisë së Kurbinit, Zeqir Hoda rrezikon të shkarkohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkak të problemeve të gjetura me pasurinë. Seanca dëgjimore për të u mbajt ditën e djeshme. Gjatë kësaj seanca relatorja tha se në pronësi të Hodës është gjetur një apartament në Tiranë, por për të janë gjetur parregullsi. Prokurori kishte deklaruar se si burim për krijimin e këtij apartamenti ka përdorur të ardhurat familjare dhe ato nga shitja e një apartamenti në Kukës, 300 mijë lekë dhuratë nga babai dhe dy hua përkatësisht në vlerat 3000 dhe 4000 dollarë. Por sipas KPK, babai i ndjerë i Hodës nuk ka patur mundësi të dhurojë shumën prej 300 mijë lekësh. Komisioni ka konstatuar të njëjtën gjë edhe për huadhënësit, ku nga hetimi është konkluduar se ata nuk kanë pasur mundësi për të dhënë shumat 3000 dhe 4000 dollarë. Por ky nuk ishte apartamenti i vetëm për të cilin komisionerët e vetingut kishin gjetur probleme. Parregullsi janë konstatuar edhe me një apartament tjetër që gjendet po në Tiranë. Për këtë pasuri prokurori Zeqir Hoda ka deklaruar se e ka krijuar përmes kursimeve nga paga, dhe një kredie të marrë në vlerën 50 mijë euro. Mirëpo, KPK ka konstatuar se ka mungesë të dokumentacionit justifikues për pagimin e këstit të parë 20 mijë euro. Komisioni ka identifikuar mungesë të dokumentacionit për nisjen e shlyerjes së kredisë dhe mospërputhje në deklarimet për pagesën e këstit prej 20 mijë eurosh në bankë. Nga ana tjetër, Zeqir Hodës i hapën telashe edhe aksionet që zotëron në kompaninë “Albtelekom”. Edhe bashkëshortja e tij që ka punuar në këtë shoqëri, ka blerë aksione njësoj si prokurori. Në këtë pikë, KPK ngriti dyshime për konflikt interesi. Sipas KPK, ligji e përcakton qartë se për shkak të detyrës që ai ushtron, prokurori nuk mund të lidhë kontrata me institucionet publike. Sakaq, KPK ka hetuar edhe lidhur me përdorimin e një tjetër mjeti nga ana e prokurorit Zeqir Hoda, që ka qenë në pronësi të shtetasit Q. H.. Sipas Komisionit, Q.H. ka qenë i proceduar dhe çështjet ndaj tij kanë qenë të regjistruara në prokurorinë ku ka punuar subjekti. “Në këtë rast duket se subjekti është në kushte të konfliktit të interesit”, tha relatorja.