Puna e SPAK nis me dosjen kundër Ilir Metës, ndërkombëtarët bëjnë gati provat, presidenti sulmon i alarmuar reformën në drejtësi

0
330

Afrimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion duket se po e lë pa gjumë presidentin Ilir Meta. Pas konferencës së shtypit të martën, në të cilën nuk la njeri pa sulmuar, dje që herët në mëngjes ka nisur sulmet ndaj reformës në drejtësi. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ilir Meta ka sulmuar hapur gjithë procesin, i cili sipas tij, është kapur nga kryeministri. Edhe pse SHBA e BE kanë investuar miliona euro dhe shumë mund për atë reformë, Meta është kthyer në armik të saj. Por statusi i djeshëm i presidentit konfirmon se halli i tij më i madh është pikërisht reforma dhe prandaj sulmon ndërkombëtarët. Burime shumë të sigurta të gazetës thanë se pas shkarkimit, presidenti rrezikon të jetë subjekti i parë i SPAK, prandaj dhe ka nisur një betejë për jetë a vdekje me reformën në drejtësi dhe ndërkombëtarët. Gazeta tha pak ditë më parë se në Tiranë ka mbërritur një grup prej 12 agjentësh të FBI, të cilët përveç se po përgatisin terrenin për SPAK dhe BKH, kanë filluar të bëjnë gati dhe dosjet për shumë zyrtarë. Që kur u ngrit njësia “Forca e Ligjit”, ILDKP, Drejtoria e Pastrimit të Parave dhe shumë organizata të tjera kanë dorëzuar pranë saj të dhëna për pasurinë dhe transferta e pushtetarëve. Një burim i tha gazetës se kohët e fundit, partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët vendas janë duke bërë gati dosjet me provat për të dërguar pas hekurave këdo që ka kryer zullume. Në korridoret e prokurorisë flitet se po grumbullohen prova kundër presidentit. Kanë nisur të hapen të dhënat e pasurisë së tij, transfertat bankare dhe shumë çështje të tjera. Si duket kjo i ka shkuar në vesh presidentit dhe tani ka nisur një sulm frontal ndaj ndërkombëtarëve dhe reformës në drejtësi.

Sulmet e Metës

Në statusin e tij në Facebook, Meta nuk ka lënë asgjë pa thënë për reformë në drejtësi. Ai ka paralajmëruar se çdo ditë do publikojë “fakte” që tregojnë dështimin e reformës dhe kapjen e saj nga Rama. “Pra reforma në drejtësi u bazua te Komisioni i Venecias. Po Ramaforma ku bazohet?!! Përsëri frymëzimi buron nga Venecia, por jo nga Komisioni, por nga Bienalja e Venecias. Pse? Sepse timonieri ynë është vetëm Artist. Ju të gjithë e dini arritjen më të freskët të Ramaformës në Drejtësi, pikërisht momentin kur Kolegji Zgjedhor duke shqyrtuar hallin e Idajetit trukoi se kishte rrëzuar Dekretin e Presidentit. Pas pak fillojmë me sqarimin e momentit historik të ndryshimit cilësor nga Reformë në Ramaformë. Ky do të jetë një cikël i gjatë, shpjegues dhe çtensionues. Pasi të përfundojmë me Ramaformën në Drejtësi, do vijojmë me Ramaformat në të gjitha fushat e jetës”, tha ai.

Frika e Metës

Përveç statusit në rrjetet sociale, Meta dje u hodh dhe në veprim për të marrë situatën në kontroll. Presidenti i është ankuar kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, se ka tejkaluar afatin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Po ashtu ai sulmoi shumë fort EURALIUS, i cili ka propozuar që të emërohen gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. “Rezulton se KLGJ-ja ka tejkaluar afatin fillestar 3-mujor të përcaktuar nga neni 174/1, shkronja “a” e ligjit nr. 96/2016, edhe me më shumë se 3-muaj të tjerë, periudhë brenda të cilës këshilli duhej të kishte miratuar të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të nisur procedurat e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë sipas Kushtetutës dhe ligjit. Ky afat 3-mujor i përcaktuar nga ligji ka përfunduar në datën 12 mars 2019, ndërkohë që, nga ky moment kanë kaluar edhe 3 muaj e 20 ditë të tjera dhe ende Këshilli i Lartë Gjyqësor rezulton që se nuk ka përmbushur detyrimet e tij ligjore”, shkroi ai. Por cili është halli i Metës? Sipas ligjit, kandidatët për Gjykatën e Lartë propozohen nga KLGJ dhe më pas është presidenti ai që i miraton. Por ndaj Metës ka nisur një proces shkarkimi, i cili me gjasë mbyllet brenda korrikut në Parlament. Një burim i tha gazetës së frika e Metës është se pas shkarkimit, mazhoranca do e pezullojë atë nga detyra dhe kompetencat do i marrë Gramoz Ruçi. Në Presidencë dyshojnë se pastaj do jetë Ruçi ai që do bëjë emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Pra, presidenti po nxiton që t’i emërojë ai gjyqtarët në Gjykatën e Lartë, gjykatë e cila i dha atij pavarësinë për videon e Dritan Priftit dhe që sot 4 anëtarë të trupës gjyqësore janë jashtë sistemit. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here