Plas sherri në KPA, Nertina Kosova akuza komisionerëve për njëanshmëri, Natasha Mulaj replikon ashpër

0
527

Gjyqtarja e Apelit të Krimeve të Rënda, Nertina Kosova u përplas dje me trupën gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Gjatë seancës së parë trupa gjyqësore i drejtoi Kosovës një sërë pyetjesh me qëllim saktësimin e të dhënave që të hartojnë një analizë të re financiare. Por këto pyetje nuk u pyetën mirë nga gjyqtarja. Në seancën e djeshme ajo i perceptoi ato si akuzë për njëanshmëri. Sipas saj, një pjesë e pyetjeve tejkalonin kufijtë e ankimit pasi nuk ishin përfshirë në kërkesën e Komisionerit Publik. Ajo theksoi se KPA nuk mund të hetonte për ato çështje që nuk ishin në ankim. Ajo shtoi se pyetjet ishin deri në kufijtë e paragjykimit. “Përgjigjet gjenden lehtësisht në pyetësorë”, tha gjyqtarja e Krimeve të Rënda. Sipas saj, një pjesë e pyetjeve kanë marrë përgjigje që në parashtrimet që ka bërë Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ajo shtoi se për disa pyetje Komisioneri Publik ishte i qartë dhe nuk kishte kërkuar fare hetim për to. Për këtë arsye, Nertina Kosova akuzoi trupën gjykuese se po tejkalon kufijtë e ankimit duke shkuar përtej shkaqeve të ankimit. Megjithatë, ajo theksoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe për këtë arsye i ka kthyer edhe një herë përgjigje për të gjitha pyetjet Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Kundërpërgjigja e Natasha Mulajt

Por ky qëndrim i Nertina Kosovës nuk u prit mirë nga relatorja Natasha Mulaj. Ajo ia bëri të qartë gjyqtares se kushdo që duhet të përballet me vetingun e dytë, nuk do t’ia hedhë paq. Me tone të ashpra, Mulaj shtoi se nëse Kosova pretendon se trupa gjykuese është e paanshme, atëherë le të veprojë sipas procedurave. “Këto janë pretendime personale. Unë nuk kam paragjykuar askënd dhe nuk kam njëanshmëri. Çdo subjekt që ulet në atë tavolinë do të marrë atë që meriton. Nuk të preket asnjë fije floku padrejtësisht. Gjyqtarja e njeh mirë procedurën dhe nëse kishte dyshime për njëanshmëri duhej të kishte bërë kërkesë sipas ligjit. Unë isha e detyruar të bëja pyetjet. Në seancën e parë kërkova mirëkuptimin e gjyqtares. Kisha detyrim të bëj pyetje para se t’i jap trupës gjykuese mendimin tim si relatore. Nuk kam asnjë njëanshmëri dhe asnjë tendencë, përveç detyrës për të qenë e qartë”, u shpreh e prerë Natasha Mulaj. Pas kësaj replike të ashpër, u duk sikur Nertina Kosova bëri hapa prapa. Sipas saj, fjalët e saj ishin keqkuptuar nga ana e trupës gjykuese. “Unë respektoj trupën gjykuese dhe nuk kam kundërshti ndaj asnjërit. E njoh procedurën dhe nëse do kisha dyshime për njëanshmëri do kisha bërë kërkesë. Ishte perceptimi im se pyetjet për të cilat besoja që kisha dhënë përgjigje më parë, ishin në kufi të paragjykimit. Dua të jem e qartë, nuk e kanë kaluar kufirin. Një pjesë e pyetjeve tejkalojnë ankimin e bërë nga Komisioneri Publik, por nuk kam dyshime te integriteti i trupës që po më gjykon”, tha Kosova. Në fund trupa gjykuese vendosi të pranojë provat e reja të depozituara nga Nertina Kosova për të justifikuar pasurinë. Komisioneri Publik u shpreh mbi këto prova dhe i cilësoi ato të ligjshme e që mund të merren në konsideratë. Pasi u dëgjuan të gjitha palët, trupa gjykuese vendosi ta shtyjë seancën për në datën 12 korrik, ora 10:30 për të dëgjuar analizën e re financiare. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here