Pasuria i hap telashe kryegjyqtares së Shkodrës, përballet me probleme në KPK, ja gjetjet e komisionerëve të vetingut për të

0
329

Kryetarja e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Valbona Durraj rrezikon të shkarkohet për shkak të problemeve të gjetura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me pasurinë e saj. Dje ajo doli para trupës gjykuese për të dhënë llogari. Që në fillim, kryegjyqtarja kundërshtoi trupën gjykuese për hetimin e kryer vetëm për kriterin e pasurisë. Ajo kërkoi riçeljen e hetimeve. Por trupa gjykuese, pasi u tërhoq për disa minuta, vendosi ta rrëzojë kërkesën e Valbona Durrajt. Në vijim të seancës, relatorja tha se kryegjyqtarja nuk ka pasqyruar burimet e krijimit të pronave që zotëron. Lidhur me një apartament me sipërfaqe 115 m2 në Tiranë, të porositur më 8 dhjetor të vitit 2004 në vlerën e 78 mijë eurove e të realizuar me akt shit-blerje në vitin 2013, relatorja theksoi se subjekti nuk ka deklaruar burimin e krijimit të shumës së sipërcituar. Sipas trupës gjykuese, gjyqtarja ka shpjeguar se burim krijimi për këtë pasuri kanë qenë të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në vlerën 4.5 milionë lekë, të ardhura nga biznesi dhe pagat, qiraja e përfituar nga apartamenti në Tiranë në total në vlerën e 19 200 eurove dhe një hua në shumën 10 mijë euro e marrë nga vëllai i saj. Por sipas KPK, ajo nuk i ka saktësuar shumat e kursyera, ndërsa del edhe me bilanc negativ. Gjithashtu, komisionerët e vetingut i gjetën gjyqtares dy kontrata shitjeje për një apartament. Në një prej kontratave gjyqtarja thoshte se e ka shitur për 2 milionë lekë, ndërsa në tjetrën 4.5 milionë lekë. Trupa gjykuese ngriti dyshime se kontrata e shitjes 2 milionë lekë ka patur si qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve financiare. Po ashtu, gjyqtares Durraj i është gjetur pa deklaruar edhe burimi i krijimit për një sipërfaqe toke të blerë në Velipojë. Sipas KPK, në këtë tokë gjendet edhe një godinë dykatëshe pa leje. Për këtë godinë janë konstatuar mospërputhje në deklarimin e vlerës së investimit. Gjithashtu KPK ka gjetur se bashkëshorti i kryegjyqtares së Shkodrës nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e një dyqani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here