Kuvendi i irrituar me KLGJ, KLP e KED, Ruçi ultimatum të përshpejtohen procedurat e SPAK dhe Kushtetueses, të gjithë krerët e drejtësisë në raportim

    0
    411

    Puna e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duket se nuk ka kënaqur Kuvendin. Që nga muaji dhjetor që këto organe janë ngritur, kanë punuar për konstituimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe riformatimin e Gjykatës Kushtetuese. Por akoma nuk ka një rezultat përfundimtar. Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, Ruçi iu ka dhënë ultimatum krerëve të KLP, KLGJ dhe KED që të përshpejtojnë procedurat që organet e drejtësisë të jenë gati sa më parë. Madje, ai ka kërkuar nga kryetari i KLP, Genti Ibrahimi që të paraqesë edhe një raport mbi punën e deritanishme, njësoj siç bëri kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami. Po ashtu, Ibrahimi dhe Llagami do të duhet të paraqiten edhe në Kuvend për raportim, ashtu siç bëri pak ditë më parë kryetari i KED, Ardian Dvorani. “Partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opinioni publik shqiptar pyesin se kur do të bëhet Gjykata Kushtetuese, kur do të ngrihet Gjykata e Lartë, kur do të ngrihet SPAK-u, kur do të ngrihet Byroja e Hetimit dhe kur do të vendoset Prokurori i Përgjithshëm. Në qoftë se ia bëj vetes sime këto pyetje, nuk di t’u jap përgjigje, aq më pak ju. Sikur kanë gjetur një lloj komoditeti njerëzit, që u kemi dhënë besimin për atje, por absolutisht ata duhet të kenë shqetësimin që ka publiku shqiptar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për këtë vakum objektiv. Këtë gjë duhet ta shikojë me shumë përgjegjësi Komisioni i Ligjeve, i cili duhet të bëjë një mbledhje shumë të përgatitur dhe shumë serioze, me një llogaridhënie nga këto organe, pa i denigruar absolutisht, sepse secili duhet të ruajë sovranitetin e vet, por që në fund rezultati duhet të jetë ky”, tha Ruçi.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here