Braktisja e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit duket se ka ndezur përplasjet brenda Partisë Demokratike. Edhe pse kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se PD doli fituese nga zgjedhjet e së dielës, jo të gjithë mendojnë ashtu. Fillimisht, ka qenë djali i ish-deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, Glauk Olldashi, i cili ka sulmuar hapur Bashën. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Olldashi propozon një proces të ri zgjedhor për ristrukturimin e Partisë Demokratike. Ndonëse në protestat e opozitës është parë krah Bashës, Olldashi duket se e ka humbur besimin tek partia për të cilën babai i tij kontribuoi për shumë vite. Ai shprehet se PD fiton zgjedhje vetëm kur ndjell besim por zgjedhjet e 2015 dhe 2017 treguan që populli nuk beson më tek PD. “E diela ishte dita në të cilën do të kisha ushtruar për herë të parë të drejtën e votës. Nuk e bëra, edhe pse e kisha pritur këtë ditë prej kohësh. Demokratët nuk i janë trembur kurrë proceseve zgjedhore sepse ato janë për ne prova dhe sprova e demokracisë. PD-ja fiton zgjedhje vetëm kur ndjell besim dhe frymëzon demokratët dhe të gjithë shqiptarët, që edhe pse nuk kanë bindje të caktuara politike besojnë tek fryma që forca jonë përfaqëson. A është në popull ky besim? Zgjedhjet e 2015 dhe 2017 treguan që, Jo. Tek procesi i 2019 nuk e testuam besimin e popullit. Tashmë ky akt, i cili i dha 61 bashki PS, a do t’i vlejë kësaj force politike? Po për ne a do të vlejë? Çfarë është kura? Për mendimin tim do na bënte mirë një proces zgjedhor për ristrukturimin e partisë tonë”, deklaroi ai. Më tej, djali i Olldashit akuzon Bashën se nuk i pyet demokratët në PD, ndërsa theksoi se nëse dikush guxon që të kundërshtojë liderin demokrat brenda partisë me shuma gjasa shpallet tradhtar. “Fakti i hidhur është që PD nuk do të menaxhojë më asnjë pushtet. Kush ka faj? Sigurisht që përgjigja që na vjen në mendje kur na pyesin është “vetja”. Por, demokratët nuk u pyetën për vendimin e mospjesëmarrjes, në fakt demokratët jo vetëm që nuk pyeten më në PD, por edhe kur ndonjëri guxon të kundërshtojë shpallët “tradhtarë”. Kjo mendësi komuniste, edhe pse e huaj për partinë tonë, na ka “infektuar”. Po më quajtët tradhtar nuk mërzitem”, nënvizoi Glauk Olldashi.
Mëhilli shton sulmet ndaj Bashës
Sulme në adresë të Bashës ka lëshuar dje edhe krahu i djathtë i Berishës, Erla Mëhilli. Kjo e fundit dy ditë më parë u pa në kafe me Jozefina Topalli, takim që e kishte pasqyruar përmes një fotoje në rrjetet sociale. Mirëpo, dje mësohet se pas kësaj fotoje është shkarkuar nga detyra Igli Zeka, kameramani zyrtar i PD, i cili me sa duket ka qenë edhe realizuesi i fotos së shumëpërfolur të Topallit me Mëhillin. Po ashtu ai njihet si mbështetës i Berishës, pasi u fut në PD në kohën e ish-kryeministrit. Ndërkohë që, pas këtij lajmi të bujshëm që ka ardhur, Mëhilli hodhi akuza në adresë të Bashës, duke theksuar se kush del kundër në Partinë Demokratike i pritet koka. “Igli Zela është bërë parti bolshevike, po mendove ndryshe, po guxove të flasësh të pritet koka”, shkruan Erla Mëhilli në rrjetet sociale. Pra, të gjitha këto tregojnë se “lufta” brenda PD ka plasur.
Basha takon kryebashkiakët e PD
Në kulmin e përplasjeve brenda Partisë Demokratike, ku figura të njohura, të cilët njihen si krahu i djathtë i Berishës kanë nisur sulmet ndaj Bashës, ky i fundit po mundohet të tregojë se situata brenda kampit opozitar është e qetë. Dje kryedemokrati Basha ka thirrur në një takim të gjithë kryebashkiakët demokrat, ku mësohet se në fokus ka qenë situatat pas zgjedhjeve vendore dhe aksioni opozitar. Sipas informacioneve, mësohet se lideri i PD po konsultohet me vartësit e tij, në mënyrë që në ditët në vijim të dalë me një platformë të re për atë se çfarë pritet të bëjë opozita. Mësohet se pjesë e diskutimeve ka qenë rifillimi i protestave deri tek rezistenca që pritet të bëjnë kryebashkiakët e PD, duke mos lejuar që të lëshojnë zyrat për krerët e rinj të bashkive.
Rigels Seliman