Skandal me klubet e bashkive, 3 skuadra të Superiores rrezikojnë falimentimin

0
320

Klubet që varen nga bashkitë janë të destinuara të dështojnë. Prandaj lipset që të hyjë në fuqi sa më parë Ligji i Sportit, pikërisht neni që ka të bëjë me sponsorizimet, pasi vetëm kështu do të lindin të interesuar që të marrin klubet dhe t’i financojnë, për të funksionuar si shoqëri të mirëfillta aksionare sportive dhe natyrisht për të shpëtuar sportin në tërësi dhe futbollin në veçanti nga degradimi dhe falimentimi. Rastet e Vllaznisë së Shkodrës, Flamurtarit dhe Luftëtarit, ku bashkitë kanë sponsorizuar miliona lekë dhe klubet janë ende në borxhe, tregon dështimin e plotë në menaxhim dhe dhënien e parave kuturu, pa asnjë lloj drejtimi dhe projekti, për të mundësuar vetëm mbijetesën në elitë, një objektiv madje që shkodranët nuk e përmbushën dot një vit më parë e pavarësisht se janë rikthyer këtë edicion në Superiore, nuk kanë asgjë serioze që i mban si pretendente në kampionatin elitar, pasi Vllaznia po shfaqet ende pa nisur kampionati si një skuadër në krizë. E tillë po shfaqet edhe skuadra e Flamurtarit dhe po ashtu edhe Luftëtari. Janë dhe klubet e tjera në vështirësi, por tre klubet e sipërpërmendura janë në prag falimentimi dhe kjo pranohet indirekt nga vetë klubet në fjalë. Në fakt, në analizën që ka bërë “Supersport”, që u referohet të dhënave që kanë klubet në këtë fazë kalimtare verore dhe në prag të startit të sezonit të ri, situata pas zgjedhore ka ndikuar tek tri skuadra të Superiores të cilat janë të vetmet që mbeten në ajër. Vllaznia, Luftëtari dhe Flamurtari kanë njohur vetëm firo gjatë kësaj vere dhe duket e vështirë që të bëjnë skuadër pretendente që të luftojnë për objektiva madhorë. Shkodranët të rikthyer nga Kategoria parë duket se do të jenë sërish një nga skuadrat pretendente për të zbritur pasi përveçse nuk kanë bërë asnjë lëvizje në hyrje kanë filluar të shohin titullarët e sezonit të shkuar të largohen. Aktualisht nën kontratë janë portieri Alen Sherri, mbrojtësi Erdenis Gurishta, mesfushori Ardit Krymi dhe sulmuesi Arsid Kruja. Pjesa tjetër është në pritje të riorganizimit të klubit në mënyrë që të mësojnë të ardhmen e tyre edhe pse deri në atë periudhë mund të kenë zgjedhur një tjetër destinacion. Tek Luftëtari firot kanë qenë të mëdha thuajse një formacion i tërë duke nisur që nga portieri Shkëlzen Ruçi për të vijuar me mbrojtësit Rustem Hoxha, Oltion Rapa, braziliani Xhekson, mesfushori Albano Aleksi apo edhe sulmuesi Ismail Dunga. Për momentin nuk ka asnjë afrim ndërkohë që duhet parë edhe situata në lidhje me bashkinë që mbetet një nga aksionerët e klubit. Kaotike është situata edhe tek Flamurtari, që hemorragjinë e nisur që në janar nuk ka mundur dot ta ndalojë edhe gjatë verës, me Idriz Bathën, Elton Cale, Artim Pollozhanin, Enea Koliçin dhe së fundmi trajneri Ilir Daja i kanë dhënë lamtumirën klubit. Largime të shumta nga kuqezinjtë dhe nëse kampionati do të niste në këto momente rrezikon të paraqitet me skuadrën e të rinjve në fushë. Vllaznia, Luftëtari dhe Flamurtari janë në udhëkryq dhe për momentin pavarësisht se kampionati do kohë që të nisë shihen si skuadrat më të rrezikuara për të rënë nga kategoria. Në të vërtetë nuk janë vetëm, pasi me probleme duket edhe Skënderbeu, i cili, duke pritur vendimin e Gjykatës Sportive të Lozanës (CAS), duket i hutuar dhe me një të ardhme të dyshimtë. Edhe pse presidenti Ardian Takaj nuk ka hequr dorë nga investimi i ekipit korçar, një lënie në fuqi e vendimit të UEFA-s mund të sjellë tronditjen e thellë të klubit që pas një dekade triumfesh mund të kthehet në kategoritë inferiore. Krejt ndryshe nga klubet e bashkive, Laçi, Kukësi, Partizani dhe Tirana që kanë presidentë dhe menaxhohen nga një titullar i pavarur nga bashkitë, kanë një ecuri më të mirë dhe këtë e tregojnë statistikat. Edhe Teuta është pozitivisht mirë në këtë aspekt, sepse nuk varet drejtpërdrejt nga Bashkia. Pra klubet që varen nga bashkitë rrezikojnë falimentimin, kjo është evidente. 

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here