Muzeut Historik Kombëtar dhe Akademia e Studimeve Albanologjike nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për zbatimin e projekte të përbashkëta. Gjatë ceremonisë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi dhe drejtori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademik prof. dr. Marenglen Verli, theksuan se projektet që do të realizojnë synojnë në hapjen e ekspozitave të përkohshme në mjediset e dy institucioneve. Gjithashtu nëpërmjet dokumenteve arkivore, fotografive, objekteve, filmave dokumentarë dhe kronikave filmike do të jepet një panoramë e përgjithshme për personalitetet dhe ngjarjet e rëndësishme historike të popullit shqiptar. Projekte kanë të bëjnë me realizimin e botimeve, konferenca shkencore, aktivitete të tjera, të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjellta ndërmjet dy institucioneve. Akademia e Studimeve Albanologjike ka statusin e një qendre ndëruniversitare. E pasur me një ekip kërkuesish shkencorë e specialistësh të konfirmuar në fushat e studimeve albanologjike, si dhe me fonde e materiale arkivore të një rëndësie të veçantë, ASA pozicionohet si një ndër institucionet më të rëndësishëm kërkimorë-shkencorë të botës shqiptare. Kryen kërkime në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj. ASA ofron përvojën dhe shërbimin e vet jo vetëm në realizimin e projekteve me interes shkencor e publik, por edhe në transferimin e dijeve, nëpërmjet shkollave të Masterit e të Doktoraturës në fushat e në specialitetet që mbulon. Krahas kërkimit në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj, rëndësi të posaçme në punën e ASA marrin hulumtimi, vlerësimi, konservimi dhe promovimi i trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë e qenësishme e më shprehëse të identitetit shqiptar. Nën kupolën e ASA janë disa institute, si ai i historisë, arkeologjisë, antropologji kulturore dhe studim arti dhe ai i gjuhë letërsisë.