Marrin fund dilemat, Migjen Basha mbetet pjesë e Arisit të Selanikut

0
322

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po shqyrtojnë mundësitë e tyre në treg, me ambicie të qarta për të pasur më shumë hapësirë dhe më shumë shanse në karrierën e tyre. Duke tentuar të kalojnë në një skuadër më të mirë, ata rrisin pretendimet e tyre në financa, në performancën sportive dhe në ekipin kombëtar. Sa më shumë minuta në fushë, sa më i mirë ekipi dhe sa më shumë peshë në fushë, aq më e sigurt është ftesa në përfaqësuese dhe njëherësh angazhimi në fushën e blertë si kuqezi. kjo si duket vlen dhe për lojtarët veteranë, të cilët po shkojnë drejt “pensionit”, por me pretendime për ta shtyrë sa më shumë këtë përfundim karriere. Një ndër ta, Migjen Basha, falë kualitetit teknik që disponon, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga fusha dhe këtë po e vërteton madje dhe me klubin grek të Arisit të Selanikut. Edhe për ishte përfolur një largim i tij nga skuadra e njohur greke, sërish mesfushori kosovar i përfaqësueses tonë shihet si një lojtar që i bën punë klubit dhe këtë e dëshmon më mirë fakti se Arisi e përfshiu në listën e lojtarëve të dëshiruar dhe e programoi në fazën përgatitore dimërore. Siç shkruajnë vetë mediat sportive greke, e ardhmja e Migjen Bashës mbetet ende e paqartë duke qenë se te Arisi nuk po kalon momente të mira dhe me shumë gjasa mund të largohet gjatë kësaj merkatoja. Megjithatë, duket se për momentin gjërat janë qetësuar në klub dhe Basha ka vënë paqen me drejtuesit, të paktën deri në momentin që në drejtim të tij do të ketë një ofertë. Mesfushori i Kombëtares ka udhëtuar së fundmi në Holandë me Arisin, aty ku do të zhvillojë fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm. Në fundin e sezonit, Basha po kalonte një moment të vështirë në skuadër duke qenë se përfundoi në stol dhe nuk i jepte më minuta trajneri. Kjo bëri që mesfushori të ketë edhe përplasje me drejtuesit dhe të kërkojë largimin, por duket se do të qëndrojë ende te Arisi. Për shërbimet e Bashës, pak kohë më parë u fol se interesohej edhe Kukësi e Partizani, por duket se nuk ka asgjë konkrete. Pra Basha mbetet pjesë e Arisit të Selanikut, të paktën deri sa të përfundojë faza përgatitore verore dhe me gjasë edhe gjatë sezonit në vazhdim, pavarësisht se merkato verore është e gjatë dhe nuk përjashtohet mundësia që lojtari ta mbyllë edhe në Serinë B italiane apo në Superligën e Shqipërisë nëse klubi i Arisit të Selanikut bëhet “pishman” në ditët dhe javët e ardhshme dhe mund ta nxjerrë Bashën në shitje. Edhe pse këto opsione janë reale, fakti që është përfshirë në skuadër gjatë fazës përgatitore dëshmon se Arisi dhe Basha kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit edhe për sezonin e ardhshëm.

Edhe Paoku i Kaçes dhe Mihajt përgatitje në Holandë

Ndërkohë, skuadra tjetër greke, rivale e Arisit në Selanik, PAOK-u i Selanikut, ka nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm ku si qëllim ka të mbrojë titullin kampion të fituar këtë sezon, pa pësuar asnjë humbje. Ekipi grek ka udhëtuar në drejtim të Holandës, aty ku edhe do të kryejë fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm dhe ndeshjet në Ligën e Kampionëve. “Mirësevini kampionët e pamposhtur”, ishte banderola e hapur në fushën ku PAOK do të stërvitet. Duket e habitshme, por të dyja skuadrat greke të Selanikut, armike me njëra-tjetrën, do të bëjnë fazën përgatitore verore në Holandë. Ashtu siç edhe pritej, me skuadrën ka udhëtuar mbrojtësi i Kombëtares, Enea Mihaj që u ble nga kampionët vetëm pak ditë më parë. Surprizë mund të konsiderohet grumbullimi i mesfushorit Ergys Kaçe, duke qenë se ky i fundit nuk është në planet e skuadrës dhe po diskutohet për t’i gjetur një ekip të ri. Një shpresë për Kaçen, mund të jetë edhe ndërrimi i trajnerit duke qenë se pak ditë më parë, Luçesku dha dorëheqjen nga PAOK-u për të shkuar te Al Hilal dhe me trajnerin e ri, ndoshta mund t’i besohet edhe Kaçes. Gjithçka do të qartësohet për mesfushorin pasi të jetë mbyllur faza përgatitore.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here