Pas deklaratës së fortë që bëri dje presidenti Ilir Meta, ku dha propozimin e tij për zgjidhjen e krizës që me 13 tetor do të ketë zgjedhje vendore, të përgjithshme dhe për Presidentin. Pas kësaj komunikate erdhën shumë reagime.
Ditën e sotme ka dalë në një deklaratë për shtyp deputeti Alban Zeneli, ku theksoj se Shqipëria politike dhe institucionale nuk mund e nuk duhet ta tolerojnë që Ilir Meta ta katandisë Institucionin e Presidentit të Republikës në një bunker Sadamist pêr tu shpallur luftë SHBA dhe BE.
“Ne deputetët e djathtë ftojmë Qeverinë dhe të gjithë Faktorët Opozitarë në Parlament ose jo, që së bashku të ulemi në Dialog pa kushte për ti dhënë përparësi maksimale Reformës në Drejtësi dhe Reformës Zgjedhore”, u shpreh ndër të tjera Zeneli.
Deklaratë për Shtyp e Deputetit Alban Zeneli!
Ditën e djeshme, Lideri i Lëvizjes Antizgjedhje z. Ilir Meta e përdori foltoren e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të njoftuar publikun dhe këdo se ai tashmë ka veshur opingat e luftës kundër SHBA dhe BE.
Shqipëria politike dhe institucionale nuk mund e nuk duhet ta tolerojnë që Ilir Meta ta katandisë Institucionin e Presidentit të Republikës në një bunker Sadamist pêr tu shpallur luftë SHBA dhe BE.
Përmendja këmbëngulëse e Koresë së Veriut, duket qartazi si një zemëratë pothuajse personale e Ilir Metës me Presidentin e SHBA Donald Trump.
Të mos harrojmë këtu se sfidën e çështjes së Koresë së Veriut, Presidenti Donald Trump e ka gati gati personale.
Kësisoj ironia dhe përmendja e Koresë së Veriut, nga Ilir Meta, ndërsa konteston e godet Ambasadën e SHBA në Tiranë, janë kurs përplasjeje i qartë me SHBA.
Ne të djathtët e Shqipërisë nuk mund ta pranojmë e as lejojmë që e majta në Presidencë dhe e majta në Qeveri, ta bëjnë Shqipërinë fushën e betejës së tyre të paprinciptë.
Prandaj, do të propozojmë në Kuvendin e Shqipërisë miratimin e një Rezolute ku Shqipëria dënon çdo deklaratë e qëndrim antiamerikan nga cilido dhe konfirmon zyrtarisht besnikërinë e plotë e palëkundur të Parlamentit, Politikës dhe Shoqërisë shqiptare ndaj SHBA.
Proamerikanizmi është detyrë patriotike për çdo shqiptar, e sidomos për ne të djathtët.
Nuk mund të lejojmë të majtët në Presidencë dhe të majtët në Qeveri që të na fusin në morsën e tyre që e shtrëngon shoqërinë shqiptare drejt një cënimi të marrëdhënieve me SHBA.
Ne deputetët e djathtë ftojmë Qeverinë dhe të gjithë Faktorët Opozitarë në Parlament ose jo, që së bashku të ulemi në Dialog pa kushte për ti dhënë përparësi maksimale Reformës në Drejtësi dhe Reformës Zgjedhore.
Dialog pa kushte.
Dialog me dashuri për Shqipërinë, shqiptarët dhe Perëndimin.
Të ulemi së bashku Parlamentarë dhe Joparlamentarë, Shumicë dhe Opozitë, me përgjegjshmëri patriotike për ti dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve zgjidhje madhore dhe reforma transformuese pozitive.
Duhet domosdoshmërisht që të shkarkohet Damian Gjiknuri nga bashkëkryesimi i Komisionit Zgjedhor të Reformës Zgjedhore si edhe të dënohet e ndëshkohet rreptësisht krimi elektoral.
Edhe zgjedhjet e 30 qershorit provuan se Edi Rama i dëmton e vjedh zgjedhjet edhe kur konkuron vetëm me veten.
Pa hetim të plotë e të thellë të krimeve elektorale, pa dënim e ndëshkim të rreptë të kriminelëve elektoralë, Shqipëria e ka të vështirë të bëhet e lirë dhe europianizohet.
Ne deputetët e djathtë do të jemi bashkë aty për të qëndruar në Kuvendin e Shqipërisë si mbrojtës të vlerave më të mira të lirisë, demokracisë, properëndimorizimit.
Jemi Opozitarë me Qeverinë por jemi Opozitarë edhe me gjithçka e gjithëkënd që synon ta përplasë Shqipërinë me Perëndimin.