Atentati ndaj dy vëllezërve në Elbasan, viktima iu përgjigj me armë atentatorëve, zbardhet dëshmia e Aleksandër Bahos

0
467

Kur kanë kaluar gati 48 orë nga atentati ndaj dy vëllezërve Baho në fshatin Murras pranë Broshkës të Elbasanit, sipas grupit hetimor dy vëllezërit i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri atentatorëve. Burime nga grupi hetimor që po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje ku mbeti i vrarë 22-vjeçari Klevi Baho, pohuan se ky i fundit ka qëlluar drejt personave që qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt automjetit “Audi 7”, me të cilin po udhëtonin dy vëllezërit. Grupi hetimor ka gjetur një armë pranë trupit te Klevi Bahos, i cili mbeti i vrarë në këtë ngjarje. Ajo është një pistoletë Glock dhe blutë kanë dyshime se 22-vjeçari ka qëlluar mbi autorët. Arma është dërguar në laborator për ekzaminime të mëtejshme. Aleksandër (Aldo) Baho mësohet se ishte objektivi i atentatit mafioz ku mbeti i vrarë vëllai i tij Klevi Baho, i cili sapo ishte liruar nga burgu në Itali. Atentati ndaj dy vëllezërve ka qenë i mirëorganizuar. Klevi Baho, i riu që u ekzekutua pak pas mesnatës të së dielës në të gdhirë të së hënës në fshatin Broshkë, para atentatit ka qenë në këmbë buzë rrugës Elbasan-Peqin, pranë një karburanti. Teksa një person i maskuar ka ardhur dhe i është drejtuar duke e pyetur nëse ai është Klevi apo jo? 22-vjeçari është përgjigjur se nuk ishte ai personi që kërkonte. Pasi personi i dyshimtë u largua, ai i ka telefonuar vëllait të tij i cili ka shkuar menjëherë drejt tij me automjetin tip “Audi” me targë AA 33 AZ. Të dy kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të banesës së tyre që ndodhet rreth dy kilometra larg nga rruga nacionale. Sapo dy vëllezërit kanë marrë rrugën drejt shtëpisë, pas tyre është vënë një tjetër automjet tip “Benz”, i cili ka nisur të qëllojë me armë teksa makinat ishin në ecje. Me plumba në kokë dhe trup, Klevi Bako ka mundur të dalë nga makina, ndërsa vëllai i tij ka mbetur aty dhe ndihmën e parë ja kanë dhënë familjarët që dolën menjëherë pasi dëgjuan të shtënat. E kanë dërguar me urgjencë pranë Spitalit kirurgjik nga ku raportohet se ka marrë tre plumba në shpatull dhe gjendet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa prej afro 40 minutash familja Baho nuk ka mundur të gjejnë djalin e vogël të tyre. 24-vjeçari u gjet nga familjarët pas disa kërkimesh poshtë një ure që lidh rrugën nacionale me fshatin. I riu ka qenë me shenja jete dhe familjarët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Elbasanit, por i riu nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të marra dhe aty ka ndërruar jetë.

Hetimet dhe dëshmia e të plagosurit

Ditën e djeshme hetuesit kanë marrë në pyetje edhe Aleksandër Bahon i cili dyshohet se ka qenë edhe objektivi i atentatit të djeshëm, dëshmi e cila nuk e ka ndihmuar grupin hetimor për identifikimin e autorëve. Përpara hetuesve 29-vjeçari është shprehur se nuk i ka parë atentatorët pasi ka qenë errësirë dhe në momentin që është qëlluar në drejtim të tyre, ai është futur poshtë kroskotit për t’i shpëtuar plumbave. Gjithashtu ai ka shtuar se nuk ka konflikte me njeri dhe nuk e di kush mund t’i ketë sulmuar. Ndërkohë puna e oficerëve është e fokusuar tek e kaluara e dy vëllezërve, pasi janë të skeduar si persona me precedentë penalë. 29-vjeçari Aleksandër Baho në vitin 2016 në Itali i është organizuar një atentat nga i cili arriti të shpëtojë. Gjithashtu ai ka vuajtur edhe një dënim në Shqipëri. Ndërsa viktima kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu po në shtetin fqinj. Grupi hetimor është duke hetuar në dy pista, atë të larjes së hesapeve dhe prishja e pazareve të drogës. Aleksandri njihet si miku i ngushtë i Admir dhe Genc Tafilit, i pari, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë vrasjesh dhe veprash të tjera penale, ndërsa i dyti, i liruar prej kohesh. Më 13 shkurt të 2016, ai ka rënë pre e një atentati të mirë organizuar në Itali pas të cilit, Aleksandër Baho ku ka mbetur me pasoja të rënda shëndetësore, sot ai është një person me aftësi të kufizuara. Aleksandër Baho ka qenë i ndaluar edhe në Shqipëri i dyshuar për një sërë veprash penale ku ndër to edhe për vrasje. Ndërsa, miqësia me vëllezërit Genci dhe Admirim Tafili ka nisur pikërisht kur Baho vuante dënimin në Burgun e Peqinit.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here