“ArtGrafika”, me punët e studentëve në Fakultetin e Arteve të Bukura

0
564

Atelieri i Grafikës prezantoi punët më të spikatura të studentëve të ciklit të parë Bachelor dhe ciklit të dytë Master në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura. Ekspozita titulluar “ArtGrafika” punët e studentëve janë me tematika të ndryshme sociale, ndotja mjedisit, situata të ndryshme politike, dhuna, etj. Këto punime janë trajtuar nga studentët në letra handmade, instilacione apo dhe grafika. Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukuar Ardian Isufi shprehet se është një konkluzion i fundvitit, që vjen nëpërmjet punës konkrete të studentëve. “Është programi i studimit i grafikës së lirë dhe i dizajnit grafik, i cili është një konkluzion i fundvitit universitar, ku studentët tanë të nivelit Bachelor dhe Master shpalosin të gjithë produktin didaktik dhe artistik, që lidhet me programin e studimit. Mbi të gjitha kemi konceptuar në aspektin kuratorial, që vetë hapësirat e atelieve të fakultetit dhe laboratorit të grafikës të jenë pothuajse një hapësirë, e cila na afron më afër me studentët e tjerë dhe pedagogët kolegë dhe artdashësit, që shohin konkretisht ku studentët tanë punuar dhe dita ditës sendërtojnë konceptet e tyre artistike ”, pohon dekani. “ArtGrafika” do të qëndrojë përgjatë javës, mes punëve edhe koridoret e fakultetit janë dekoruar me një qilim artistik krijuar me letër “handmade”. Sipas dekanit Ardian Isufi ky prezantim është me një sërë teknikash. “Në këtë rast ne kemi një megainstalacion të letrës së ricikluar, që është vendosur pothuajse në gjithë koridorin e Fakultetit të Arteve të Bukura, duke dhënë jo vetëm kaq shumë produkt të studentëve tanë, por dhe duke sjellë dhe atë çfarë është sot tendencë e kohës. Një letër që është e riciklueshme, një letër që ridimensionohet nga studentët qoftë në aspektin e materies, qoftë në atë se si ata e përdorin në gjurmë incizione, pra në shtyp, e përdorin atë në gjurmë që flitet me kolazhime, me rikontesktualizimin, që kanë të bëjnë me këtë materie”, vijon dekani Isufi.

Punët e ekspozuara

Harri Aleksi pedagog i pikturës dixhitale në Fakultetin e Arteve të Bukura shprehet se çdo vit detyrat e studentëve ekspozohen, dhe këtë vit është instilacioni, që qëndron në koridoret e FAB në “ArtGrafikë”. “Janë detyrat të vitit të dytë dhe të tretë Bachelor, për sa i përket lëndës së pikturës dhe veçanërisht pikturës dixhitale. Krahas pikturës tradicionale dhe vizatimit tradicional, që ne japim në atelie është dhe piktura dixhitale. Kemi vendosur që të ekspozohen disa nga punët më të mira të studentëve në një formë më bashkëkohore, më alternative, meqenëse dhe zhanri e kërkon këtë gjë. Duke qenë se piktura dixhitale është një dimension i ri që po prodhon pionierët e parë në këtë zhanër edhe mënyra e ekspozimit është si një lloj ekstradimensioni me këto pasqyrimet dhe që krijojnë një formë tredimesionale pavarësisht se imazhi është dydimensional. Pra është një lloj iluzioni optik dhe një lloj dyzimi, edhe instalimi i gjithë një kuti e zezë jep idenë e dixhitales, ku e zeza është simboli i ekranit dixhital të fikur dhe kutia është shprehje e mjetit, teknologjisë me prekjen njerëzore, që është brenda kutisë”, tregon pedagogu i arteve Harri Aleksi. Enisa Sula studente master viti i parë në Grafikë njëkohësisht dhe koordinatore e projektit shprehet se kjo që po ndodh në Fakultetin e Arteve të Bukura është diçka e bukur. “Është një gjë e re për mua dhe një risi, sepse jemi marr me riciklimin e letrave, duke ndërtuar instilacionet. Këtu janë të gjitha punimet e nxënësve dhe është risi jo vetëm si atelie, por dhe për ne si nxënës duke u marr me diçka të re, që nuk e kishim provuar më parë. Në FAB ka instalacione, serigrafik, video, animacione, diçka e bukur”, shprehet studentja Enisa Sula.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here