Gazeta amerikane “The New York Times” i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe situatës në Shqipërinë komuniste. Në disa artikuj të publikuar nga gazeta tregohet e si më 1946 u arrit një pak zyrtar me Jugosllavinë, ndërsa kishte përplasje me grekët.
3 mars 1946
Sherri mes Aleatëve alarmon kontinentin
Mosbesimi tashmë i dukshëm mes Moskës dhe aleatëve të saj Perëndimorë jo vetëm po parandalon zhvillimin e paqes së vërtetë pas luftës por është duke hapur një të çarë të madhe në mes të popullatës së kontinentit. Refuzuesit e njërës palë po kalojnë në ekstremin e kundërt, si në të majtë dhe në të djathtë të kampeve politike. Në një atmosferë të tillë të trazuar kanë lindur diktatura si të djathta me gjeneralin Francisco Franco në Spanjë, ashtu dhe me Titon në Jugosllavi e Enver Hoxhën në Shqipëri për ekstremin e majtë, të cilat po lulëzojnë politikisht.
Grupe të rëndësishme refugjatësh janë ata të majtë si republikanët spanjollë, apo të djathtë si gjenerali polak Vadislav Anders, ose mijëra jugosllavë në Itali e Gjermani besnikë të dinastisë mbretërore Karageorgeviuç, të cilët po flasin hapur për nevojën e organizimit për të përfituar nga veprimi i shpejtë në “kohën e fillimit të luftës”. Sigurisht që çdo njeri inteligjent e kupton se lufta duhet të evitohet për zgjidhjen e një argumenti pasi në të ardhmen edhe fitorja e mundshme do të ishte e shterpë. Megjithatë këto zhurma i referohen vetëm grupeve disidente të refugjatëve. Gjatë javëve të fundit të udhëtimit në kontinent korrespondentët kanë mbledhur disa fakte e opinione, siç është ai i ish-presidentit francez Charles de Gaulle, i cili tha se është i bindur se do të ketë një luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.
28 qershor 1946
Hoxha kërkon anëtarësimin e Shqipërisë në OKB
Kryeministri Enver Hoxha njoftoi sonte se Shqipëria do të nënshkruajë së shpejti një traktat me Jugosllavinë, por refuzoi të tregonte natyrën e kushteve të dokumentit. Në konferencën me shtypin jugosllav në legatën shqiptare në Beograd, ai konfirmoi miqësinë e Shqipërisë me Jugosllavinë e Rusinë dhe bëri kritika të ashpra ndaj vendeve të tjera që sipas “sponsorizojnë fashizmin” e Athinës apo strehojnë e asistojnë kriminelët shqiptarë të luftës në Romë. Kryeministri shqiptar pretendonte se Shqipëria kishte plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për t’u bërë anëtare aktive e Kombeve të Bashkuara. “Ne kemi mbështetjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë për të cilët populli ynë është mirënjohës. Ne kemi çdo të drejtë pasi populli shqiptar ka luftuar aq shumë, duke qenë edhe ai një faktor për paqen, prandaj Shqipëria duhet të pranohet si anëtare”, tha ai në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për në Kombet e Bashkuara.
29 qershor 1946
Incidenti me britanikët
Kryeministri shqiptar kolonel Enver Hoxha la deklaruar sot në përgjigje të notës së protestës nga qeveria britanike, kushtet sipas të cilave artileria bregdetare shqiptare qëllon ndaj anijeve të huaja pas incidentit me luftanijet britanike Orian dhe Superb muajin e kaluar në ngushticën e Korfuzit.
“Ne i pamë dy luftanijet që po lundronin pa flamurë. Ato nuk reaguan as ndaj sinjalizimeve tona dhe ne dhamë urdhër të qëllohet në shenjë paralajmërimi. Më pas u dukën flamurët dhe dy anijet u larguan. Incidenti është një çështje për të ardhur keq por jo për të përkeqësuar marrëdhëniet mes Britanisë e Shqipërisë”, tha ai. Gjenerali Hoxha tha se incidenti ishte rezultat i provokimeve të kohëve të fundit nga Greqia, pasi sipas tij grekët shpeshherë dërgojnë anije për të qëlluar kundër brigjeve shqiptare.
1 korrik 1946
Greqia denoncon inkursionet
Njëzet njerëz të armatosur raportohet të kenë kaluar kufirin nga Shqipëria në Greqi një ditë më parë për t’u bërë thirrje banorëve të disa fshatrave grekë për të marrë armët kundër regjimit. Ata akuzojnë se qeveria greke ka shkelur “akordin e Varkizës” sipas të cilit lufta e forcave të rezistencës së majtë dhe qeverisë, ka përfunduar në fillim të vitit 1945.
Megjithëse ka pasur një numër incidentesh me Maqedoninë ku supozohet të jenë përfshirë bandat komuniste, kjo është akoma më serioze pasi ditët e fundit kryeministri shqiptar Hoxha ka sinjalizuar një rritje të qëndrimit armiqësor ndaj Greqisë, sipas tij prej “fashizmit” që ende ekziston aty. Pakti i miqësisë mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë raportohet se është pasur edhe nga një marrëveshje ushtarake e cila natyrisht që ka sjellë shqetësim.
23 korrik 1946
Shqipëria e Jugosllavia njoftojnë akordin e ri
Shqipëria e Jugosllavia kanë mbyllur së fundmi një akord dypalësh miqësie dhe asistence të ndërsjellë që konfirmon “vendosmërinë e dy vendeve për të mbrojtur së bashku në të ardhmen lirinë e pavarësinë e tyre”, siç njoftonte radio e Beogradit. Marrëveshje e plotë është arritur gjithashtu për bashkëpunimin ekonomik, ku sipas njoftimit ka jo vetëm besim të plotë të ndërsjellë, por gjithashtu realizim të identitetit dhe interesave të të dyja vendeve. Marrëveshja kishte ardhur pas bisedave mes udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha dhe atij jugosllav Marshall Tito. Vendimi për të hyrë në një bashkëpunim të tillë erdhi prej vendosmërisë për të ndaluar çdo shkelje të të drejtave të vendeve në të ardhmen nga pushtues si “agresorët imperialistë gjermanë, nga të cilët kishin vuajtur të dy vendet”. Një njoftim i ngjashëm u bë dhe nga Radio Tirana. Një njoftim nga Beogradi tha se gjenerali Hoxha dhe partia e tij, të cilët kishin qenë në Beograd që prej 23 qershorit, u nisën sot për në Tiranë. Hoxha citohej të kishte thënë për shtypin jugosllav nga aeroporti: “Shqipëria do të ketë gjithmonë të shtrenjtë miqësinë e Jugosllavisë dhe garantuese të lirive e pavarësisë së saj”.
2 gusht 1946
Greqia nuk heq dorë nga pretendimet ndaj Shqipërisë
Të inkurajuar nga vendimi për përfshirjen në konferencën e paqes të “çdo çështjeje në lidhje me traktatet e paqes” delegacioni grek nisi dje përgatitjet për të fituar pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë, duke ngritur kështu në Konferencën e Paqes rrezikun e një skandali të nivelit të lartë. Grekët kanë dorëzuar pretendimet e tyre për jugun e Shqipërisë (të cilin ata e quajnë Epiri i Veriut). Ata insistojnë se territori duhet të jetë i tyre për arsye etnike, strategjike vetëmbrojtjeje, si dhe historike bazuar në vendimin e vitit 1919. Ata duan veçanërisht zonën e Korçës dhe shpresojnë të marrin dhe Gjirokastrën dhe portin e Sarandës pranë ishullit të Korfuzit (i cili u riemëruar Porto Edda nga Musolini)
Kontrolli i Adriatikut
Shqipëria jugore kontrollon hyrjen në detin Adriatik dhe Italia është vetëm 45 milje larg ishullit të Sazanit në gjirin e Vlorës, i cili sipas raportimeve nga Roma është duke u fortifikuar tashmë nga ushtria sovjetike. Në diskutime informale të kohëve të fundit grekët kanë hedhur tezën e caktimit të një zone ndërkombëtare në Vlorë të ngjashme me atë të aprovuar për Triesten. Për të arritur këto qëllime grekët janë të gatshëm të përdorin gjithçka tani që dera e komitetit është e hapur. Por kjo nuk pritet të jetë diçka e thjeshtë pasi çështjet e përfshira janë ato të linjëzimit të fuqisë Lindje Perëndim të cilat kanë penguar shumë çështje që prej përfundimit të luftës.
Moska mbështet Shqipërinë
Edhe në këtë rast ndërhyn rivaliteti mes mbështetjes sovjetike të kryeministrit Enver Hoxha dhe asaj britanike e amerikane për Greqinë. Marshall Tito dhe krye ministri Hoxha sapo kanë mbyllur një marrëveshje të ngushtë bashkëpunimi dhe lidhjet e tyre pritet të forcohen. Është raportuar shpesh nga qarqe diplomatike të informuara mirë se Shqipëria do të detyrohet të bashkohet në federatën jugosllave si njësi e veçantë apo anëtare. Kështu që çdo mbështetje në konferencë që pritet nga Greqia mund të pasohet me mbështetje të kundërt nga pala tjetër. Vetë Shqipëria po kërkon të marrë pjesë zyrtarisht në konferencën e paqes. Aplikimi i saj nuk ka marrë ende përgjigje pro pritet të jetë një faktor.
14 gusht 1946
Shqipëria, balancuesja e re e fuqive
Vendi më i vogël i vendeve të vogla ka bërë sot një kthesë të dyfishtë duke fituar të drejtën e paraqitjes si dëshmitare kundër Italisë në Paris dhe objekt debati në Nju Jork me prezantimin e aplikimit për anëtarësi në Kombet e Bashkuara. Gjatë ekzistencës së saj të shkurtër mes dy Luftërave Botërore, Shqipëria ka qenë një skenë komike në sytë e botës së jashtme, njëfarë “Ruritanie” utopike me një panoramë të egër fisesh gjakësore, ushtri të dobëta dhe krerë fisnorë që zbrisnin nga malet me njerëzit e tyre për të rrëzuar qeverinë e Zogut, i cili më pas e bëri veten mbret, por më pas u detyrua të arratisej bashkë me gruan në 1939 kur vendi u pushtua nga Italia. Shqipëria është tipike e atyre enteve kombëtare që jetojnë në tokën e gadishullit të Ballkanit si një pemë e keqe plot nyje në një pyll të lashtë, e cila nuk preket nga koha apo ndryshimi. Popullata e saj është më pak se një milionë banorë dhe njëzet vjet më parë vendi ishte pabesueshmërisht primitiv, pa asnjë dritë elektrike, hekurudhë apo gazetë të shtypur. Por megjithëse ishte e paprekur nga civilizimi modern, ajo i rezistoi absorbimit nga turqit, sllavët, grekët apo italianët. Është një formë e veçantë e popujve të Ballkanit dhe gjatë disa shekujve të regjimit Otoman ka arritur të ruajë njëfarë karakteri individual.
E pasunduar kurrë
Kemi të bëjmë me një lloj shteti që është i destinuar nga masa e vogël dhe dobësia për të qenë një satelit, edhe pse nuk është sunduar kurrë plotësisht nga të tjerët. Turqit kishin shumë probleme me shqiptarët aq sa mësuan më në fund t’i lënë rehat në punën e tyre. Jugosllavët ndihmuan Zogun për të marrë qeverinë, por ai nuk ndjeu asnjëherë se duhet të ishte besnik ndaj tyre dhe i rezistoi pretendimeve sllave duke u kthyer nga Italia për mbështetje dhe bëri marrëveshjen me Romën në 1926. Megjithatë Traktati i Tiranës ishte një gabim sepse e dha mbretërinë e tij në dorë të fashistëve dhe i hapi rrugë pushtimit që ndodhi në 1939. Por dhe Italia nuk pati më shumë sukses sesa turqit në nënshtrimin e shqiptarëve malësorë. Përpjekja mes Italisë dhe Jugosllavisë për Shqipërinë nuk është diçka e re, ajo daton që prej Luftës së Parë Botërore. Duke parë ngjarjet e sotme është interesante të shihet prapa në ditën e nënshkrimit të paktit me Italinë. Atë ditë ambasadori jugosllav në Tiranë u habit aq shumë nga lajmi sa që ecte pareshtur në zyrën e tij duke sharë, pasi italianët të mbështetur e inkurajuar nga britanikët i kishin lënë një marsh prapa jugosllavët dhe sipas fjalëve të tij, “e kishin bërë të dukej si budalla” në sytë e qeverisë. Tirana ishte një postë kufitare për vendet kufitare, por si një postë që ziente nga armiqësi e intriga të vjetra. Vlora qëndronte në portën e ngushtë të Adriatikut dhe ashtu si tani ishte objekt i luftës diplomatike e strategjike për hyrjen në Evropën Qendrore. Italia në vrullin e saj të parë fashist kishte më shumë dorë për influencë. Jugosllavia ishte e re dhe pa shumë eksperiencë në ndërhyrjet e brendshme. Rusia nuk dukej fare në panoramë ndërsa Gjermania nuk kishte nisur depërtimin në Ballkan. Por tani rolet kanë ndryshuar pasi Italia qëndron e dobët dhe e vetmuar në anën e hapur të Adriatikut ndërsa Rusia e madhe dominon malet në anën tjetër bashkë me detin deh portën që të çon të Danubi.
Shqipëria është tashmë një lloj nën-sateliti nën mbrojtjen e dyfishtë të Beogradit dhe Moskës. Sovjetikët raportohet se po fortifikojnë portin e Vlorës. Nëse kjo është e vërtetë apo jo, Shqipëria gjithsesi është e tërhequr në sferën sovjetike. Shtetet e Bashkuara ende nuk e kanë njohur regjimin e Hoxhës në Shqipëri dhe po debatojnë anëtarësinë e saj në Kombet e Bashkuara me argumentin sesa përfaqësuese e popullit është qeveria e tij e përkohshme, dhe sa kompetencë do të ketë ajo për respektimin e traktateve ndërkombëtare.
Elementë të njëjtë
Balanca e fuqisë ka ndryshuar dhe Evropa sot nuk është Evropë e djeshme por elementët përbërës mbeten të njëjtë. Eksperienca e Turqisë, Italisë e Jugosllavisë në të kaluarën nuk sugjeron se fuqi të ndryshme do ta kenë të lehtë të nënshtrojnë Shqipërinë. Është e jashtëzakonshme sesi një milionë njerëz në zemër të Evropës, të vendosur në një pikë strategjike që lakmohet nga të gjithë ndërtuesit e perandorive, kanë arritur të ruajnë gjuhën e zakonet e tyre, madje dhe karakteristika fizike të ndryshme nga fqinjët e tyre sllavë e grekë, e në njëfarë mënyre dhe lirinë e tyre gjatë ndryshimeve e pushtimeve të rreth 2000 vjetëve.
Për të gjithë ata që dinë diçka mbi Shqipërinë, është një bast i sigurt se ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe pse vend i parëndësishëm, edhe nëse janë federatë jugosllave apo republikë ruse. Kombet e Ballkanit janë mësuar që të merren nëpër këmbë nga fuqitë e mëdha deh gjatë këtij procesi ato kanë mësuar artin e rrëshqitjes nga duart e njërit apo tjetrit në mundësinë më të parë. Askund tjetër Rusia nuk do të mësojë më mirë se megjithëse popujt duken të vegjël arta nuk e harrojnë shijen e lirisë që e kanë provuar njëherë.
22 gusht 1946
Shqipëria kërkon reduktim të forcave të Italisë dhe 700 milionë dollarë dëmshpërblim
Në konferencën e paqes së Parisit sot u depozituan kërkesa e Shqipërisë për reduktim të mëtejshëm të forcave të Italisë dhe dëmshpërblim lufte, kërkesa e Egjiptit për një Libi të pavarur dhe ajo Austriake për Tirolin e Jugut. Tre vendet Shqipëria, Egjipti e Austria bënë propozime specifike për mënyrën e mirë të nisjes së argumenteve. Ndërsa tre vendet e tjera Meksika Kuba e Irani ishin të vendosura për pretendimet e tyre prej kontributeve në fitoren e forcave Aleate.
Katër kërkesa nga Hoxha
Zëdhënësi i Shqipërisë ishte kryeministri komunist Enver Hoxha i cili fluturoi në Paris për të folur vetë në konferencë, dhe bëri katër kërkesa në lidhje me traktatin e paqes së Italisë: Ai argumentoi se Italia mund të jetë ende një kërcënim prandaj fuqia e saj ushtarake duhet të reduktohet edhe më shumë. Hoxha tha se italianët kishin plaçkitur Shqipërinë për 54 muaj dhe pretendoi reparacione lufte në 3.5 milionë franga ari ose rreth 700 milionë dollarë. Ai kërkoi që konferenca të caktonte mënyrën e pagesës.
Ai kërkoi më tej kthimin në Shqipëri të anëtarëve të qeverive kolaboracioniste dhe kriminelëve të tjerë të luftës që ishin larguar në Itali dhe sipas tij tani jetonin në hotelet më të mira.
Ai kërkoi që Shqipëria të përfshihet mes fuqive Aleate ose të asociuara që përfitojnë nga traktati i paqes me Italinë dhe që marrin pjesë në zbatimin e tij. Gjenerali Hoxha fliste me vetëbesim në një frëngjishte të pastër teksa kërkonte llogari nga Italia, ish-armiku, apo Greqia me të njëjtën ashpërsi. Nga Italia ai kërkonte llogari për atë që i kishte bërë vendit gjatë luftës, kurse nga Greqia për atë që kërkonte të bënte sot duke kërkuar Epirin e veriut. Kryeministri ishte i ashpër në kërkesat e tij dhe nuk ngatërroi asnjë rrokje.
Citon liderët perëndimorë
Duke përmendur shërbimet e Shqipërisë gjatë luftës, Hoxha tha se forcat artizane të komanduara prej tij, ndaluan avancimin e katër divizioneve gjermane kur Aleatët zbarkuan në Francë, dhe citoi marshall Pietro Badoglio që dëshmonte për dëmin që shqiptarët i kishin shkaktuar karvanëve italiane që lëviznin për pushtimin e Greqisë. Ai citoi gjithashtu Uinston Çërçill, Kordel Hull dhe Eduard Stetinius i Riu të cilët kishin ngritur lart rezistencën shqiptare. Hoxha tah më tej se kjo temë ishte përshkruar gjerësisht nga gazetari Dmitri Maluiski kur blloku rus po argumentonte dhënien e ftesës së Shqipërisë për pjesëmarrje në konferencën e paqes.
Gjenerali Hoxha nuk bëri lavdërime të Rusisë për epokën e luftës në krahasim me ato për Perëndimin, por përmendi faktin se një oficer rus e disa oficerë britanikë e ameriaknë ishin parashutuar në Shqipëri. Më pas u kthye nga kryeministri grek Konstandin Tsaldaris, i cili kishte folur kundër dëgjesës për shqiptarët. Hoxha tha se rreth 35 000 grekë në Shqipëri gëzojnë të drejta të njëjta me shqiptarët, ndërsa Greqia ka dënuar nga shtëpitë e tyre rreth 37 000 shqiptarë etnikë me qëllim eliminimin e minoritetit shqiptar në Çamëri. Pretendimi i kryeministrit Tsaldaris për Epirin e Veriut u karakterizua nga gjeneral Hoxha si “reflektimi politikës së vjetër greke të imperializmit dhe ekspansionizmit në Ballkan”. Ai më tej sfidoi legjitimitetin e qeverisë greke duke thënë se populli grek nuk kishte pasur influencë në zgjedhjen e tyre. Hoxha sinjalizoi se do të çonte pretendimet aktuale të Shqipërisë te komisioni i traktatit me Italinë .












































