Google search engine

    PS merr më shumë vota se në 2017, ja qytetet që vendosën rekord në pjesëmarrje, Patozi rreth 27 mijë vota në rang kombëtar

    0
    498

    Procesi zgjedhor i 30 qershorit mund të quhet i suksesshëm për Partinë Socialiste. E rëndësishme për socialistët në këto zgjedhje ishte pjesëmarrja. Objektivi i PS ishte që në votimet e të dielës të kapte në pjesëmarrje numrin e votuesve të saj në vitin 2017. Dy vjet më parë kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, PS siguroi 764.791 vota, Partia Demokratike 456.481 vota, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim 225.975 vota. Por nëse i krahasojmë 764.791 votat që e nxorën PS fitimtare në 2017 me 771.183 qytetarët që vajtën në votime të dielën, duket sikur socialistët ia kanë arritur qëllimit. Pra, shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit tregojnë 7.561 votues më shumë sesa rezultati fitues i PS në 2017. Nga ana tjetër, shifrat e pjesëmarrjes janë më të mëdha sesa votat që PD së bashku me LSI siguruan në zgjedhjet parlamentare të 2017. Përveç kësaj, PS u votua nga plot 768,743 qytetarë në rang kombëtar, duke marrë më shumë vota se sa në zgjedhjet e fundit. Bindja Demokratike mori 26.517 vota, ndërsa kandidatët e pavarur morën 5.915 vota.

    Qytetet që vendosën rekord

    Nga të gjitha bashkitë, rezultatin më të mirë në pjesëmarrje në votime krahasuar me votat që Partia Socialiste ka mbledhur në vitin 2017 e ka arritur Tirana. Në kutitë kryeqytetase të votimit u drejtuan 171.390 qytetarë që janë 7.138 votues më shumë se 164.252 vota që ka marrë PS në 2017. Pas Tiranës, bashkia tjetër që vendosi rekord për pjesëmarrjen ishte ajo e Dibrës. Aty u shënuan 6.965 votues më shumë se votat në 2017. Më pas vjen e renditur Bashkia e Elbasanit, në qendrat e votimit të së cilës shkuan 6.473 votues më shumë sesa votat e dy vjetëve më parë. Një tjetër bashki me rekord pozitiv është ajo e Fierit, ku pjesëmarrja shënoi një rritje me 2.674 persona nga 38.526 vota të siguruara para dy vitesh. Shifra të kënaqshme vijnë edhe nga Klosi. Në 2017 aty PS siguroi 3.240 vota, ndërsa të dielën votuan 2.245 qytetarë më shumë se ky rezultat. Pas nuk mbetet as Bashkia e Pogradecit, e cila arriti të sigurojë 1.961 votues më shumë se votat në 2017. Edhe në Cërrik të dielën pati një pjesëmarrje më të lartë sesa votat e siguruara në 2017. Në qoftë se dy vjet më parë në Cërrik PS mori 5.380 vota, këtë herë ishin 1.668 qytetarë më shumë se ky numër që u drejtuan në qendrat e votimit.

    Zonat e dobëta

    Përveç bashkive me rekord pozitiv, pati edhe nga ato me rekord negativ. Pjesëmarrjen më të ulët krahasuar me vitin 2017 e pati Bashkia e Durrësit. Aty shkuan të votojnë 35.062 qytetarë, që krahasuar me 48.056 vota që ka marrë PS në 2017, janë 12.994 votues më pak. Po kështu, rezultat të dobët Partia Socialiste pati edhe në Vlorë dhe në Berat ku pjesëmarrja në votime ishte mbi 5 mijë qytetarë më pak se sa kanë marrë vota socialistët në vitin 2017. Gjithashtu, edhe në Kamëz pjesëmarrja ishte e dobët, 4.445 votues më pak se rezultati i PS në 2017. Edhe në Shkodër, Shijak dhe Kavajë rekordi që u shënua ishte negativ. Më konkretisht, në Bashkinë e Shkodrës pati 4.146 votues më pak krahasuar me 20.059 votat që mori PS aty në 2017. Nga ana tjetër, në Shijak qenë 2.642 votues më pak sesa votat e marra dy vjet më parë, ndërsa në Kavajë qenë 2.431 më pak. Nëse krahasojmë me rezultatet e 2017 që u arritën në Bashkinë Ura Vajgurore, ku u siguruan 8.695 vota, të dielën aty pati 2.795 votues më pak sesa ky numër i arritur dy vjet më parë. Pra, disa bashki në këto zgjedhje kanë shënuar një rekord pozitiv, por të tjera negativ. Për këto të fundit dy ditë më parë kryeministri Edi Rama premtoi edhe ndryshime, duke paralajmëruar kështu reforma të thella që do të rregullojnë pjesëmarrjen e ulët. 

    Mimoza Ibra

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here