Zbardhen të tjera detaje nga zhvillimet në sistemin komunist. Në kuadër të shkrimeve të “The New York Times”, gazeta po tregon sot se si Hoxha dhe Tito u bënë bashkë kundër Greqisë. Prestigjiozja amerikane raportonte po ashtu në atë kohë dhe për arrestimet që nisi diktatori ndaj atyre që i dilnin kundër.
9 nëntor 1945
Greqia pretendon se shqiptarët po e plaçkitin
Në një studim të fundit të qeverisë greke thuhet se ka akte të vazhdueshme dhune kundër komuniteteve greke në jug të Shqipërisë, duke përfshirë vrasje, burgosje arbitrare, dëbime etj. faji për këto akte të rënda i vihet grupit nacionalist shqiptar Balli Kombëtar dhe gjithashtu organizatave të kundërta të majta si Fronti Nacional Çlirimtar, nga e cila ka dalë qeveria e sotme në pushtet. Kohët e fundit qeveria greke ka bërë një kërkesë ndaj fuqive të mëdha për hetimin e situatës në kufirin shqiptaro-grek, për të vërtetuar saktësinë e akuzave, por ende asgjë nuk ka ardhur prej kësaj. Ndërkohë shqetësimi është rritur për faktin se SHBA e Britania mund të njohin qeverinë e Shqipërisë pa u konsultuar fillimisht me aleatin e tyre Greqinë, për atë që mund të jetë një qeveri armiqësore shqiptare, në një kohë kur Greqia po përgatitet të debatojë për kufijtë e saj në konferencën e paqes.
Tito mbështet Hoxhën
Kryeministri shqiptar Hoxha konsiderohet i lidhur me Marshal Titon nga ideologjia e njëjtë politike apo dhe nga armiqësia e përbashkët ndaj Greqisë. Prandaj besohet se Hoxha mund të mbështetet te Tito për t’i rezistuar pretendimeve greke. Këto të fundit thonë se kufiri shqiptaro-grek në formën aktuale është i vendosur padrejtësisht pasi brenda tij ka zona me shumicë popullsie greke si Himara, Gjirokastra, Saranda e Korça, të cilat mbahen nën thundrën e huaj dhe mund të bëhen në çdo kohë viktima të popullatës tjetër. Nuk ka ende një hartë të plotë kufitare por besohet se ajo që do të prezantohet do të përfshijë territorin e njohur si Epiri i Veriut deri në ndarjen natyrale të lumit Shkumbin dhe Elbasanit. Është theksuar se ky territor është pushtuar më parë nga forcat helene dhe në fakt i ishte premtuar atyre me marrëveshje ndërkombëtare. Kufiri aktual është i padobishëm nga ana strategjike pasi ndërpret komunikimet mes qendrave të rëndësishme dhe pengon zhvillimin ekonomik të zonës. Para Traktatit të Versajës, delegatë të Shteteve të Bashkuara kishin vendosur që popullsia menjëherë para ngushticës së Otrantos ishte greke, por kjo u kundërshtua nga delegatët italianë të cilët insistonin se ajo është shqiptare , pasi asokohe Italia kishte ndërmend sundimin e ardhshëm të Shqipërisë. Debati Orlando-Uilson për brigjet Dlamate ishte atëherë në kulmin e tij kështu që kjo çështje u la pas dore. Më vonë çështja iu referua Konferencës së Ambasadorëve, ku dominuan dëshirat e italianëve. Grekët tani mendojnë se përpjekjet e shqiptarëve për likuidimin e popullsisë greke kanë si qëllim të bindin fuqitë e mëdha se pretendimet greke janë të pabaza.
30 janar 1946
Arrestohen figurat anti-Hoxha
Raportimet nga Tirana thonë se është zbuluar një komplot ‘fashist’ për përmbysjen e regjimit të kryeministrit Enver Hoxha dhe se disa drejtues të lëvizjes janë arrestuar. Sipas të dhënave Hoxha ka thënë: “Organet e sigurimit shtetëror prej shumë kohësh po mbanin nën mbikëqyrje lëvizjet e një grupi të njohru fashistësh që kishin nisur të riorganizoheshin me qëllim përmbysjen e regjimit të popullit dhe vrasjen e anëtarëve drejtues të qeverisë. Ata kishin arritur me sukses të formonin disa grupe të përbërë prej tregtarësh të pasur, spekulatorësh dhe ish-oficerë të mbretit Zog, apo të ashtuquajtur demokratë e intelektualë”.
2 dhjetor 1945
Opozita shqiptare e heshtur prej kërcënimeve
Shqiptarët do të votojnë nesër në zgjedhjet parlamentare me kandidatë vetëm nga Fronti Demokratik i kryeministrit Enver Hoxha, dhe ku votat negative nuk lejohen. Figurat e opozitës thanë se kishin tentuar të shpërndanin broshura ku kritikonin zgjedhjet si jo-demokratike, por më pas ishin tërhequr pasi cdo formë opozicioni do të rezultonte në kasaphanë. Ata thënë se broshurat e tyre shkruanin se Shqipëria tashmë dominohet nga gjenerali Stalin e Marshall Tito i Jugosllavisë, dhe se të gjithë kandidatët e frontit Demokratik ishin komunistë. Zgjedhjet shqiptare në Epirin e Veriut nuk duhet të lejohen deri në zgjidhjen e çështjes territoriale me Greqinë, tha dje në SHBA, ministri grek i informacionit , pasi sipas tij persekutimi i minoritetit grek atje vazhdon.
5 dhjetor 1945
Partia e Hoxhës fiton të gjitha vendet në Asamble
Fronti Demokratik i kryeministrit Enver Hoxha, konkurruesja e vetme në zgjedhjet e së dielës, ka fituar të gjitha 82 vendet në Asamblenë Kushtetuese shqiptare, siç tregonin sot rezultatet zyrtare. Fronti Demokratik mori më shumë se 95 për qind të votave. Nga 603 500 persona me të drejtë vote në zgjedhjet e para në 24 vjet në Shqipëri, 555 271 kishin votuar. Ende nuk është caktuar data e mbledhjes së Asamblesë kushtetuese, e cila do të hartojë draftin e kushtetutës dhe do të përcaktojë mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit. Në një konferencë për shtyp gjenerali Hoxha tha se Shqipëria kërkon të drejtën për të marrë pjesë në organizatat ndërkombëtare.
12 janar 1946
Asambleja e shpall Shqipërinë republikë
Shqipëria është shpallur sot republikë nga Asambleja Kushtetuese, njoftonte radio e Tiranës dhe dy ditë pushim janë dekretuar për të festuar ngjarjen, e cila i jep fund monarkisë së shpallur nga Zogu në 1928, për të eliminuar republikën e mëparshme. Lajmi i Tiranës thoshte se shpallja është shoqëruar me 101 të shtëna armësh për të sinjalizuar kursin e ri të zgjedhur nga populli nën drejtimin e qeverisë së Enver Hoxhës. Nuk u përmend fare ish-mbreti Zog që ishte ngritur në fron duke anuluar republikën e mëparshme, në të cilën ishte president. Ai ka jetuar në Angli që prej largimit nga Shqipëria pas pushtimit të Shqipërisë nga Benito Musolini në 1939. Veprimi i sotëm vjen pas një hapi të ngjashëm nga Jugosllavia, e cila përmbysi mbretërinë në fundjavë, dhe vetëm një ditë pas vizitës në vend të ambasadorit të ri sovjetik Stepanoviç Chuvakin, i cili u prit në aeroport nga vetë kryeministri Hoxha. Qeveria e tij është njohur gjithashtu nga Britania de Shtetet e Bashkuara. Sonte në Londër pritej që ndryshimi i regjimit të njihej nga tre fuqitë e mëdha, ashtu siç ndodhi me Jugosllavinë. Ky veprim i Shqipërisë ishte pritur prej disa kohësh, ashtu siç u tha dhe në komentin e vetëm nga grupi i mbretit Zog në Londër. Sekretari i tij dha dje këtë deklaratë: “Mbreti nuk mund të pranojë që zgjedhjet që sollën në pushtet regjimin e ri, ishin të lira. Do të kishte qenë dëshira jonë që pas gjithë kësaj kohe të gjatë e tragjike, populli të kishte rivendosur situatën që dëshironte, por për ne shqiptarët jashtë vendit tashmë ka një tjetër rrezik akoma më serioz se regjimi i ri, ajo është çështja kombëtare dhe e integritetit territorial”.
7 shkurt 1946
Hoxha shtrëngon diktaturën, shtyp opozicionin
Qeveria shqiptare e kryeministrit Hoxha, tashmë që ka fituar njohjen e kushtëzuar nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara dhe ka kompletuar zgjedhjet e Asamblesë, të cilat nuk i dhanë rëndësi pretendimeve për respektim të koncepteve demokratike elektorale. Vendi ka vendosur haptazi një diktaturë të majtë, e cila së bashku me policinë sekrete po zhduk çdo person apo formë opozicioni. Në të gjithë këtë influenca sovjetike është parësore. Një numër gjithnjë e më i madh rusësh po hyjnë në vend dhe për të akomoduar ata po sekuestrohen hapësira të mëdha. Oficerët e Ushtrisë së Kuqe qarkullojnë lirshëm tashmë dhe janë parë madje deri në Gjirokastër, pranë kufitar me Greqinë. Sipas standardeve të saj, Shqipëria po mban një ushtri të stërmadhe dhe mendësia e saj garantohet nga komisarët politikë që kanë ndërtuar një sistem të dendur në ushtri. Misionet amerikane dhe britanike në vend janë penguar me të gjitha mënyrat në punën e tyre; udhëtimi i është kufizuar dhe punonjësit e huaj janë dëbuar, ndërsa anëtarë të tjerë të stafit nuk i lejohet hyrja në vend. Ambientet e misionit amerikan në Shqipëri dhe Administratës së Rehabilitimit, mbikëqyren ashpër nga rojet e Hoxhës dhe materialet e saj shfrytëzohen nga qeveria në operacionet kundër disidentëve. Gjenerali Hoxha ka marrë pushtet të plotë dhe përndjekja e elementëve opozitarë është kulmin e saj. Në zonat veriore të distrikteve katolike rreth Shkodrës, elementë klerikë apo opozitarë po arrestohen masivisht. Shkollat fetare janë mbyllur dhe të gjithë priftërinjtë e murgeshat po dëbohen nga vendi. Në jug ku dominojnë grekët ortodoksë, Metropolitani Visarion po sulmohet ashpër si filogrek. Anëtarët e minoritetit grek të vendit po dëbohen nga shtëpitë e tyre megjithë garancive për të drejta të barabarta të minoriteteve në kushtetutën e vendit. Propaganda anti-fetare dhe veçanërisht anti-katolike është intensifikuar sipas linjave jugosllave e sovjetike. Pozita është bërë aq e rëndë për opozitarët sa që banorët nga Çamëria po bëjnë agjitacion për rikthim në Greqi, edhe pse keqtrajtimi i çamëve supozohet se ishte arsyeja ose justifikimi që Mussonili të niste luftën kundër Greqisë. Opozita liberal ose socialiste e mbledhur rreth ish-grupeve guerile është duke u shtypur dhe drejtuesit e saj po burgosen. Italianët po dëbohen nga vendi sado kohë të ketë ata që jetojnë aty, dhe pronat e tyre sekuestrohen nga komunistët dhe ushtria. Dy patriotë pro-britanikë, Gjergji Kokoshi dhe Suad Asllani u arrestuan me akuzat e rreme se donin t’i shisnin tokë Greqisë. Edhe ekonomikisht Hoxha po krijon një shtet autoritar socialist, me inkurajim të punës së përbashkët dhe nacionalizim të industrisë së vogël të vendit dhe ndërmarrjeve. Titulli “shok” përdoret në të folurin formal dhe deputetët i drejtohen njëri-tjetrit me “shoku asemblist”. Britania është veçanërisht e shqetësuar për rimarrjen nga Shqipëria të ishullit fortesë Sazani nga Itali, nga ku kontrollohet hyrja në Adriatik që është vetëm 45 milje e gjerë.