Deklarata e djeshme e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer tronditën opozitën shqiptare. Në fjalimet publike, PD dhe LSI duken mjaft të tërhequra nga skenarët e dhunës. Rreth këtij qëndrimi të amerikanëve dhe sjelljes së partive opozitare folën dje për gazetën avokati Spartak Ngjela dhe ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ky i fundit deklaroi se kërcënimet e Palmer për opozitën erdhën pasi Amerika nuk mund të lejonte krijimin e një precedenti të rrezikshëm në rajon. Sipas tij, deklarata e zyrtarit amerikan erdhi në momentin e duhur. “Deklarata e Palmer ishte shumë e fortë. Sigurisht nuk është një deklaratë e bërë kështu shpejt e shpejt. Situata ka muaj që evoluon kështu që është shumë e menduar si deklaratë. Mua më erdhi mirë që ata u prononcuan hapur fare. Pastaj reagoi edhe zoti Basha. Deklaratat e tij ishin shumë paqësore, tha që durimi është arma jonë më e fortë. Deklarata e Palmer ishte me vend dhe e drejtë. Janë bërë gjithë këto përgatitje, pavarësisht se presidenti bëri lojën e tija, ata mesa duket nuk e pranuan këtë lojë. Sigurisht ka të bëjë edhe me faktorin rajonal. Do të ishte një precedent i pakëndshëm për amerikanët që qeveritë të lëshojnë pe sa herë që opozita pretendon për më shumë. Kjo situatë nuk është vetëm këtu tek neve. Edhe në rajon, edhe në vendet rrotull nesh situata është pak a shumë e ngjashme”, tha Fatos Klosi. Ai komentoi edhe qëndrimin e ditëve të fundit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Për Klosin, Berisha është më i tërhequr sepse e di që mesazhet e SHBA kanë qenë për të. “Berisha tani ka një tërheqje ose të paktën kështu duket sepse mesazhet i merr edhe ai. Ai e ka shumë të qartë që mesazhet e ndërkombëtarëve janë për të dhe jo për Lulin. Të gjithë ata që japin mesazhe e kanë shumë të qartë situatën, e dinë fort mirë se kush është nxitëse. Kështu që Berisha është me shumë eksperiencë, shumë aktiv, kështu që nuk ka arsye tjetër për tërheqjen e tij përveç faktit që e ka kuptuar shumë qartë që politika që ka bërë ai deri më tani, edhe në hije siç ka qenë, nuk është më e pranueshme nga faktori ndërkombëtar. Ata duan qetësi në rajon. Ato që bënte Berisha nuk janë më armë për të marrë pushtetin, ato krijojnë vetëm probleme. Kështu që ai e ka marrë mesazhin”, u shpreh Fatos Klosi.
Reagimi i Ngjelës
Avokati Spartak Ngjela nga ana tjetër deklaroi se kërcënimet e SHBA janë për politikanët tanë antiamerikanë dhe antikombëtarë. Sipas tij, ju tregoi vendin atyre që po tentojnë destabilizim në vend, duke i detyruar të tërhiqen. “Unë mendoj që nesër nuk do të ketë ndonjë gjë të madhe, por këta do të lëvizin, nuk do të rrinë pa lëvizur. Palmer i kërcënoi hapur dhe ka të drejtë. Ai është ligji i tyre. Nëse ti je antiamerikan dhe merr veprime kundër politikës së tyre që krijojnë refleksion edhe në Amerikë dhe nxisin destabilizim në vend, siç po bëjnë këta, ai të pozicionon në vendin që ke. Ju doli përpara dhe ju tha bëni si të doni. A rezistoni dot? Natyrisht që kjo është arsyeja e tërheqjes së tyre, por ajo që ndodhi në Dibër dje më dha të kuptuar që ende kanë inerci, por të shohim sesi do të shkojë gjendja nesër”, theksoi avokati. Sipas tij, Amerika e di se shqetësimi i tyre është reforma në drejtësi. Për të shpëtuar nga kjo, Ngjela tha se në lojë u fut edhe Meta, duke bërë dekrete të pavlera. “Politika amerikane e di se këta janë të shqetësuar sepse i kap reforma në drejtësi dhe gjithçka e kanë me reformën. Edhe anarkia vjen në funksion të reformës. Po ta shikosh me vëmendje, nëse do të qëndronin të palëkundur te data 30 qershori, të cilën e ka sulmuar i pari juridikisht presidenti, atëherë eliminohej anarkia. Por gjithë këtë gjendje e hodhi në zjarr aq sa mundi dekreti i presidentit. Ai ishte një dekret nul, pa vlerë sepse nuk ka forcë juridike. Çdo akt juridik apo administrativ që nuk ka forcë juridike, quhet i pavlefshëm. Ai nuk e kishte në kompetencë kushtetuese”, tha Spartak Ngjela.
Mimoza Ibra