Shkeli “Fair Play Financiar”, Kas përjashton Milanin nga Europa League

0
416

Milani mori dje një lajm shokues, më saktë një vendim të Gjykatës Sportive të Lozanës, i cili la në fuqi penalizimin që kishte dhënë UEFA për skuadrën kuqezi të Milanos, me penalizim në Ligën e Europës, pra me heqjen e të drejtën së pjesëmarrjes në Europa League për shkak të shkeljes së rregullave të “Fair Play Financiar”. Një lajm i tillë i keq do të sjellë përjashtimin e Milanit nga kompeticioni i njohur i UEFA-s dhe kuqezinjtë do të humbasin kështu financa të majme që vijnë nga e drejta televizive dhe arkat e UEFA-s për klubet anëtare. Natyrisht, ishte një vendim i trishtë nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv, por i paralajmëruar për klubin italian që prej disa muajsh, kur doli në skenë shkelja e rregulloreve pas një hetimi që ishte nxitur nga vetë UEFA. Janë vetë mediat sportive italiane dhe më gjerë që analizojnë situatën në kampin kuqezi dhe bëjnë analizat e tyre për rastin, pasi me vendin e dhënë për Milanin i hapet rruga penalizimit edhe të Mançester Sitit e Paris San Zhermenit që kanë pasur probleme të ngjashme, pra kanë shkelur rregulloret e “Fair Play-it Financiar”. “Milani nuk do të marrë pjesë në edicionin 2019-2020 të Europa League. Komisioni i arbitrazhit sportiv në Lozanë ka marrë vendimin për të përjashtuar kuqezinjtë nga kompeticioni i dytë më i rëndësishëm për klubeve. Ky i vendim i KAS i cili tashmë është zyrtarizuar vjen pas problemeve që ka patur klubi kuqezi me “fair play financiar”, shkruajnë mediat italiane. Lënia jashtë e Milanit i heq gjithashtu mundësinë Kukësit për t’u përballur me Romën në turin e dytë kualifikues të Europa League nëse verilindorët do të kalojnë hungarezët e Debrecenit sepse Roma do të marrë vendin e Milanit në fazën e grupeve të Europa League dhe nga turi i dytë kualifikues do ta nisë Torino që në rast triumfi të Kukësit ndaj Debrecenit do të jetë kundërshtari i skuadrës së Ernest Gjokës në turin e dytë kualifikues të Europa League. Në të vërtetë Kukësi e ka problemin më të madh me hungarezët e Debrecenit, që janë skuadër favorite, por verilindorët theksojnë se kjo është teorike, pasi në fushë Kukësi ka treguar se di të bëjë lojëra të mëdha dhe të marrë rezultatet e duhura. Kukësi do të tentojë t’i kalojë hungarezët e Debrecenit e të përplaste me Torinon, një skuadër e Serisë A, jo shumë elitare, por që luan vazhdimisht në elitë, një rivale derbi e Juventusit. Për Kukësin do të ishte diçka e madhe të përballje në Europa League me një skuadër të Serisë A, një ngjarje sportive që nuk duhet humbur. Sa i takon skuadrave italiane, vendin e Milanit të përjashtuar e merr Roma, e cila do të luajë direkt në fazën e grupeve të Europa League dhe kjo është diçka pozitive për verdhekuqtë, që llogariten madje si një nga skuadrat pretendente.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here