Shkarkimi i Ilir Metës brenda verës, në korrik mbyllet vlerësimi për kandidatët e Kushtetueses, Dvorani zbardh prapaskenat

0
416

Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta brenda verës. Edhe pse akoma nuk është ngritur, procesi është në rrugë të mbarë. Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani sqaroi dje se në ç’fazë është ringritja e Kushtetueses. Gjatë një raportimi para Komisionit për Monitorimin e Ecurisë së Reformës në Drejtësi, Dvorani deklaroi se KED do të mbyllë brenda korrikut procesin e vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese. “Nuk mund të them asgjë nëse do ta kalojmë verën pa Gjykatë Kushtetuese. Ligji parashikon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të përfundojë verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve. Kjo është detyra jonë dhe kjo do të ndodhë patjetër brenda muajit korrik. Unë jam në vështirësi të them një datë të saktë. Kam një parashikim të përafërt por nuk mund ta them sepse nuk varet nga ne, sepse kondicionohemi nga rrethana që nuk varen nga ne, por ajo që parashikon ligji është se të nesërmen, që presidenti dhe Kuvendi marrin listat e kandidatëve të renditur nga ana jonë, kanë 30 ditë afat për vendimmarrjen e tyre”, deklaroi Dvorani. Siç e tha edhe kryetari i KED, Kuvendi, Presidenca dhe Gjykata e Lartë kanë një muaj afat për të zgjedhur nga 3 anëtarë për Gjykatën Kushtetuese. Nga një përllogaritje e thjeshtë, i bie që afati i fundit për të emëruar anëtarët është fundi i gushtit. Duke qenë se KED pritet të mbyllë deri në fund të korrikut renditjen e kandidatëve, listat iu kalojnë menjëherë Presidencës, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë. Nëse nga këto 3 institucione e shfrytëzojnë maksimalisht afatin 30 ditor, atëherë fundi i gushtit është afati i fundit për emërimin e gjyqtarëve të rinj të Kushtetueses. Kjo do të thotë në fillim të shtatorit Gjykata Kushtetuese do të jetë gati dhe sipas burimeve të gazetës, çështja e parë që do të marrë në shqyrtim do të jetë ajo për shkarkimin e Ilir Metës. Kushtetuesja duhet të vendosë për fatin e Metës brenda 2-javorshit të parë të shtatorit me qëllim që të ligjërohen ose jo edhe zgjedhjet e 13 tetorit. Nëse Meta shkarkohet, atëherë këto zgjedhje në tetor janë të pavlefshme, por nëse Kushtetuesja vendos në favor të presidentit, atëherë procesi zgjedhor duhet të zhvillohet dhe partitë politike duhet të kenë 1 muaj afat për fushatë elektorale.

Dvorani: Presim vetingun për 2 kandidatët gjyqtarë

Kryetari i KED, Ardian Dvorani sqaroi më tej se deri tani procesi i renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese është vonuar sepse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i ka rivlerësuar akoma dy gjyqtarë garues. Bëhet fjalë për gjyqtarët Ilir Mustafaj dhe Anila Kristani. “Në datën 5 prill kur kemi filluar zyrtarisht renditjen e procedurave për Gjykatën Kushtetuese ishin 49 kandidatë për 6 vende në Gjykatën Kushtetuese. Aktualisht në 28 qershor kemi 18 kandidatë për Gjykatën, gjykatësit e tjerë janë tërhequr, shtatë kandidatë janë ndaluar për kandidimin. Procedurat e verifikimit të kandidatëve lidhen me mbërritjen e dokumenteve nga institucionet, llogaris mbi 2 mijë veprime verifikuese. Jemi në fazën përfundimtare, por ajo që mban të penguar procesin është se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhet të përfundojë vetingun për 2 kandidatët gjyqtarë. Jemi shumë të kënaqur që pasi ju drejtuam mbi 60 institucioneve për kandidatët, ato na u përgjigjën në kohë. Ne presim që megjithë angazhimet e KPK, të kemi përfundimin e vetingut për dy kandidatët. Publiku pret që kandidatët që do përgjigjen të kenë integritet dhe moral”, tha Ardian Dvorani. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here