Vetëm pak minuta më parë zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi sulmoi deputeten Rudina Hajdari, teksa tha se po shpërdoron mbiemrin, por e mirëkupton derisa t’i kalojë vettingun mami.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Hajdarit, e cila i është përgjigjur ‘dhëmbë për dhëmbë’, duke i thënë se nuk e njeh aspak, por po i kthen përgjigje meqë mesazhi vjen indirekt nga presidenti.
Deputetja shprehet se procesi i vettingut për mamanë e saj i përket KPK-së, OMN-së dhe KPA-së, ndërkohë që i thotë të mos dekretojë dhe ç’dekretojë sipas dëshirës së tyre.
‘Kur zhgënjehet Tedi, që as nuk e njoh fare, vetëkuptohet se sa shumë mërzitem.
Po të kthej përgjigje meqë je Zëdhënësi i Presidentit dhe i bie që ky mesazh, aspak profesional, të jetë i Tij. Gjithsesi, e kalon apo jo mami im Vetting-un, është çështje që i takon KPK, OMN & KPA, por ama kujdes kur i shkruani ato dekretet & çdekretet se po ju dridhet dora’, shkruan Hajdari në Facebook.