Kuvendi vazhdon procedurat për amendimin e neneve të reformes ne drejtesi, Këshilli i Legjislacionit miraton draftin

0
416

Kuvendi vijoi dje punën për të amenduar nenet e reformës në drejtësi të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese. Paraditen e djeshme u mblodh Këshilli i Legjislacionit për të diskutuar për këtë çështje. Pas mbledhjes së parë, ku u bë zëvendësimi i ish-deputetëve të opozitës që dorëzuan mandatet me emrat e rinj që u futën në Parlament, në mbledhjen e djeshme u dëgjua mendimi i ekspertëve të PD, PS dhe Euralius. Të ftuar ishin Besmir Beja, ekspert ligjor i Partisë Socialiste, Saimir Kola, ekspert ligjor i Partisë Demokratike dhe Greg Borkowski, përfaqësues i EURALIUS-it. Mbasi u njohën me propozimet e bëra nga ekspertët, relatorja Klotilda Bushka u shpreh se Këshilli i Legjislacionit duhet të plotësojë me dispozita ligjore ato pjesë të dy ligjeve, të cilat janë prekur nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Kemi vendosur që në Këshillin e Legjislacionit të adresojmë vetëm ato çështje që janë prekur nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese sepse kjo do të jetë nisma ligjore për ndryshimin e të dy ligjeve që po diskutojmë sot dhe më pas do t’ia kalojmë Komisionit për Çështjet Ligjore, për shqyrtimin nen për nen, parim dhe tërësi, të dy nismave”, sqaroi Bushka. Në përfundim, Këshilli për Legjislacionin miratoi draftin, të cilin ia kaloi për shqyrtim Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Pasi u miratua reforma në drejtësi, PD ankimoi në Gjykatën Kushtetuese disa nene të sajat. Kushtetuesja vendosi t’i rrëzojë një pjesë të këtyre neneve. Nenet e rrëzuara prekin funksionalitetin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Për shkak të vendimit të gjykatës, KLP dhe KLGJ nuk emërojnë dot gjyqtarë e prokurorë, por i caktojnë ata përkohësisht. Deri tani amendimi i këtyre neneve nga Këshilli i Legjislacionit nuk u bë dot sepse opozita, që kishte edhe drejtimin e tij, bojkotonte vazhdimisht Kuvendin. Drejtimi i Këshillit të Legjislacionit bëhet me rotacion, një herë opozita, një herë mazhoranca. Tani radha i takon PS. Në mbledhjen e fundit kryetar u caktua Bashkim Fino, ndërsa nga opozita e re anëtarë u zgjodhën Fatjona Dhimitri, Rudina Hajdari dhe Aurora Mara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here