Një prej lojtarëve më energjikë të Kombëtares tonë, Taulant Xhaka, ka regjistruar suksese të mëdha në Superligën e Zvicrës, me Bazelin, skuadër me të cilën ka fituar trofe të shumtë, por falë paraqitjeve me këtë ekip ka mundur të marrë ftesë edhe në ekipin përfaqësues të Shqipërisë, duke qenë një nga lojtarët më të dashur për publikun shqiptar, pasi jep maksimumin e tij dhe falë lojës së mirë e shpesh agresive, ia ka dalë të jetë titullar i padiskutuar në radhët e Kombëtares. Madje dhe trajneri Edi Reja e ka atë në fokusin e projektit të tij dhe pavarësisht se ndaj Moldavisë nuk e aktivizoi, Xhaka mbetet një nga lojtrarët që i duhet ekipit kombëtar. Ndërkohë, në Zvicër Xhaka është titullar i padiskutuar dhe me Bazelin po shkruan faqe të reja suksesi. Sikurse raportojnë mediat zvicerane, Taulant Xhaka është pjesë e skuadrës së Bazelit prej vitit 2010, vit në të cilin bëri edhe debutimin me ekipin e parë. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, më pas për një sezon u huazua te Grasshopers, sërish në kampionatin zviceran. Megjithatë, 28-vjeçari prej vitit 2013 është pjesë e pandashme e Bazelit, teksa është kthyer në një lider të skuadrës. Së fundmi, ekipi zviceran ka vendosur që për sezonin e ardhshëm ta “gradojë” Taulant Xhakën me rolin e zv/kapitenit. Ka qenë vetë klubi zviceran, i cili nëpërmjet Tuiter ka bërë të ditur tre kapitenët e sezonit të ri. I pari do të jetë sulmuesi Valentin Stoker, teksa pikërisht në rolin e kapitenit të dytë do të jetë Xhaka. Një vlerësim ky për karrierën e shqiptarit në Zvicër dhe për më tepër në një klub të madh si Bazeli. Gjatë viteve të tij me Bazelin, Xhaka ka arritur të shpallet pesë herë kampion, ndërsa nuk mungon edhe 2 Kupa të Zvicrës. Ndërkohë, në Zvicër luajnë një numër i madh futbollistësh shqiptarë, kryesisht ata me origjinë nga Kosova, të cilët kanë “pushtuar” klubet e ligës së parë dhe të dytë zvicerane. Ka prej tyre që kanë ecur shumë lart dhe ia kanë dalë të shkojnë në klubet më elitare europiane si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, apo dhe Shkodran Mustafi, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili, apo dhe Albian Ajeti. Një numër i konsiderueshëm i lojtarëve që kanë dalë nga akademitë e klubeve zvicerane kanë preferuar të përfaqësojnë Kosovën, një pjesë Shqipërinë e një pjesë Zvicrën. Së fundmi një futbollist shqiptar ka ditur të luajë në treg, duke u bërë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave herë me Zvicrën e herë me Shqipërinë e në fund ka nënshkruar një kontratë profesionisti në ligën e dytë zvicerane me ekipin e FC Vil. Sikurse shkruan “Vipsport.al”, emri i Kastrijot Ndaut do të mbetet gjithmonë si shembulli konkret i atyre lojtarëve të cilët shfrytëzojnë ftesat nga Shqipëria për t’i bërë presion vendeve ku jetojnë që t’i grumbullojnë në ekipin përfaqësueses. Mesfushori 20-vjeçar veshi fanellën kuqezi sa për t’i bërë presion Zvicrës U-21 që nuk po e grumbullonte dhe tashmë po përfiton nga popullariteti që mori pasi kuqezinjtë dhe helvetët e përfshinë në radhët e tyre. Një vit më parë, Ndau ishte pjesë e përfaqësueseve të moshave të Zvicrës, por askush nuk po e grumbullonte më me ekipin U-21. Për këtë arsye, ai kontaktoi me përfaqësues të FSHF-së, të cilët ishin të lumtur që po afronin një lojtar i cili në të kaluarën kishte luajtur nga U-17 te U20 e Zvicrës. Ndau iu bashkua Shqipërisë së drejtuar nga Alban Bushi në shtator, duke luajtur pak minuta në miqësoren kundër Italisë. Një muaj më vonë, ir atij iu dërgua ftesa për ndeshjet zyrtare, por Ndau u zhduk, duke zgjedhur të kthehej te Zvicra e cila e alarmuar e kishte ftuar gjithashtu te ekipi U-21. Grumbullimet e rregullta i sollën lojtarit të akademisë së Zyrihut edhe ofertat që priste. Kështu, në fund të këtij sezoni atij i është dhënë mundësia që të nënshkruajë si profesionist dhe që nga dita e sotme është pjesë e FC Vil në kategorinë e dytë zvicerane. Lojtari ka firmosur për tre vite me të drejtën e rinovimit dhe do të nisë këtë aventurë të re, meritë edhe e mashtrimit që bëri duke veshur fanellën kuqezi.
Adriatik BALLA