Probleme me figurën, pasurinë dhe profesionalizmin, KPK shkarkon nga detyra kryeprokuroren e Kukësit

0
412

Kryetarja e Prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ditën e djeshme ta shkarkojë atë nga detyra. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancave dëgjimore më datë 25.06.2019 për subjektin e rivlerësimit, znj. Alketa Nushi, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 27.06.2019 vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Alketa Nushi, prokurore/drejtuese pranë Prokurorisë Kukës. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Etleda Çiftja, z. Lulzim Hamitaj relator, znj. Firdes Shuli anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve”, njoftoi KPK. Shkarkimi i saj erdhi pasi iu gjetën probleme me pasurinë, integritetin e figurës dhe aftësitë profesionale. Gjatë seancës dëgjimore, trupa gjykuese u shpreh se kishte konstatuar pasaktësi në deklarimin e pasurisë nga prokurorja Nushi, veçanërisht me disa sipërfaqe toke në Mifol të Vlorës, ku ajo zotëronte pjesë takuese. Ajo zotëron edhe një apartament në Kashar, por në vitin 2008 prokurorja nuk ka deklaruar burimin e krijimit dhe as dhuratat në vlerën 4000 euro. Sa i takon integritetit të figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e kishte konsideruar Alketa Nushin të papërshtatshme për të vijuar detyrën. Lidhur me këtë konstatim, Nushi tha gjatë seancës dëgjimore se ai është i pavërtetë dhe se ndjehej e turpëruar nga ky përfundim. Ndërsa hetimi për aftësitë profesionale kishte konstatuar se prokurorja ka ndjekur standard të dyfishtë në lidhje me masën e sigurisë së dy personave si dhe probleme në kualifikimin e aftësive profesionale. Problematika të ngjashme janë konstatuar edhe në disa dosje të tjera. Prokurorja Alketa Nushi i mbrojti hetimet e saj para KPK-së, ndërsa shtoi se gjykatat e të gjitha shkallëve kishin lënë në fuqi vendimin e pushimit të një hetimit në vitin 2017. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here