Milani po bën përpjekje të ringrihet në nivelet më të larta, por investimet e viteve të fundit nuk kanë qenë në lartësinë e kërkuar dhe blerjet që llogariteshin se janë “yje” në treg nuk kanë dhënë potencialin e tyre të llogaritur më herët dhe për pasojë nuk e kanë bërë diferencën, duke mos i shërbyer klubit si duhet. Edhe këtë edicion Milani është në riformatim, por me Paolo Maldinin që ka marrë “frenat” e klubit në dorë dhe që po bën një merkato të guximshme, por edhe të studiuar, duke tentuar të krijojë një Milan të frikshëm që të jetë i aftë të përballet në Champions League me më të mëdhenjtë e futbollit botëror. Por nuk do të ketë vetëm afrime, sepse në planet e klubit ka dhe tentativa për të shitur ndonjë futbollist që do të sillte balancimin e financave, duke tentuar të mbushin arkën. Dhe lojtari që mendohet e vlen shumë është portieri Xhixhi Donaruma. Sipas medieve italiane, një tratativë që mbetet pezull. Milani ka kthyer mbrapsht ofertën e parë të PSG për portierin Xhixhi Donaruma. Propozimi i drejtorit sportiv të parizienevë, Leonardo (deri pak javë më parë ishte në stafin drejtues të kuqezinjve) ishte 20 milionë euro, plus kartonin e Areolas (vlerësohet 30 milionë euro). Një shifër e vogël për “Djallin”, që e vlerëson Donarumën të paktën 60 milionë euro, edhe pse kontrata e “gardianit” skadon në vitin 2021. Xhixhi është shumë i ri, vetëm 20-vjeç, dhe duke marrë në konsideratë faktin që sezonin e kaluar Kepa la Bilbaon për t’iu bashkuar Çelsit për 80 milionë euro e Alison u largua nga Roma për Liverpulin për pa më shumë se 70 milionë, atëherë oferta e PSG është vërtet për të mos u marrë në konsideratë. Një ditë më parë, Barcelona shpenzoi plot 35 milionë euro për Neton, që thjesht do të jetë alternativë e Ter Shtegen te “Blaugranat”. Milani ka dyshimet e tij për aftësitë e Areolas, që sezonin e kaluar luajti në 3 ndeshje te PSG mes kampionatit dhe Kupës përkundrejt 25 të Bufon. Dyshime të mëdha ka dhe vetë Donaruma, që nuk është ende i bindur për t’u larguar nga “Djalli”. Milani është nën presionin e kohës për një plusvalencë prej 30 milionë eurosh (Fair Play Financiar), por drejtuesit, nëse nuk rritet oferta për portierin e parë, mund të sakrifikojnë Rikardo Rodriguez dhe Kessie. Duke refuzuar ofertën e parë 20-milionë euroshe të Paris San Zhermenit, Milani tenton që të rrisë “dozën” e shitjes së Donarumës, me synimin për ta bërë atë afro 60 mln euro. Ndoshta PSG nuk do të pranojë një shifër të tillë, por një marrëveshje e dytë është e mundshme për një shifër të përafërt, prandaj Milani e ka lënë një derë hapur që të negociojë me klubin e famshëm francez. Mbetet të shihet deri në fund të merkatos se çfarë vendimesh do të merren, por insistimi i PSG-së dhe hezitimi i Milanit për ta shitur “lirë” Donarumën tregon se palët nuk tërhiqen në ambiciet e tyre dhe kjo histori mund të vazhdojë gjatë gjithë merkatos së verës.
Adriatik BALLA