Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi dje raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar që e konsideronte kryetarin e Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani si të papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Dje u mbajt seanca dëgjimore për të, ku u renditën probleme me pasurinë, por trupa gjykuese u shpreh se raporti i DSIK për figurën nuk qëndron. DSIK si fillim kishte sjellë raport pozitiv për Madanin. Aty specifikohej se kryeprokurori i Kavajës kishte deklaruar edhe dënimin e të vëllait me 11 muaj burg në Itali. Nisur nga ky fakt, trupa gjykuese i kishte kërkuar të dhëna të plota ONM, ndërsa për DSIK kishte kërkuar një raport të dytë. Ky raport i dytë i DSIK rrëzoi raportin e parë sepse këtë herë ishte konstatuar papërshtatshmëria për vijimin e detyrës. DSIK kishte pretenduar se veç dënimit me 11 muaj, vëllai i Madanit kishte edhe dënime të tjera në Itali deri në vitin 2007 dhe dënime me një identitet tjetër dhe se këto dënime nuk ishin deklaruar nga prokurori. Por KPK vuri në dukje se prej hetimeve të kryera raporti i dorëzuar nga DSIK rezultoi i pabazuar në prova dhe ligj. KPK tha se dënimet e tjera të pretenduara nuk u gjetën të vërteta. Megjithatë, trupa gjykuese relatoi probleme me pasurinë e Artan Madanit. Sipas KPK, ai zotëron një apartament dhe një garazh të blerë në vitin 2001 në Durrës për një vlerë të deklaruar prej 5.5 milion lekësh. Relatorja theksoi se kontratat e shitblerjes për apartamentin ishin nënshkruar më vonë. Për këtë pikë Madani u pyet edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar se si ka mundësi që ka paguar paratë pa nënshkruar kontratën. Sipas KPK Madani kishte deklaruar se apartamenti ishte blerë në fakt në vlerën 1.7 milion lekë karabina me një kontratë verbale në vitin 2001. Pjesa tjetër e vlerës së tij ishin shpenzimet e kryera prej vetë Madanit për ta bëra apartamentin funksional deri në vitin 2003. Por kjo pikë ishte mjaft dyshuese për KPK sepse pallati ishte cilësuar i banueshëm që në vitin 2000. Pikëpyetje po ashtu u ngritën edhe mbi burimin e të ardhurave për këtë apartament.