Data 12 korrik do të shënojë nisjen e fazës së përzgjedhjes së prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Një fakt i tillë u bë i ditur ditën e djeshme nga vetë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Pas mbledhjes së KLP, ai deklaroi për mediat se në datën 8 korrik do të nisë faza e intervistimit për kandidatët. Sipas tij, ky proces pune do të jetë publik për mediat dhe do të mbyllet në datën 12 korrik, datë kur do të nisë edhe përzgjedhja mes garuesve. Ibrahimi theksoi se pikëzimi dhe renditja e kandidatëve do të nisë menjëherë sapo të mbyllet faza e intervistave. “Sot në përfundim të afatit ka përfunduar shqyrtimi i dokumentacionit të kandidatëve. Ne do t’i dëgjojmë ata drejtpërdrejt në javën që fillon në datën 8 korrik dhe përfundon në datën 12 korrik. Pra brenda korrikut do të kemi listën e fituesve për sa na takon ne. Pastaj, menjëherë në ditët në vijim do të bëjmë aritmetikën e mbledhjes së pikëve për të pasur fituesit. Në lidhje me seancat e intervistimit të kandidatëve, do të jenë të hapura për mediat”, u shpreh kreu i KLP.
Strategjia e KLP
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka planifikuar edhe një strategji që Prokuroria e Posaçme të jetë gati sa më parë. Gent Ibrahimi deklaroi dje se në SPAK fillimisht do të emërohen më pak se dhjetë prokurorë. Ai theksoi se do të bëhet ç’është e mundur që Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion të ketë një numër të mjaftueshëm prokurorësh që të bëjnë punën ashtu siç duhet. “Përsa i përket numrit, do të jetë 5, 7, 8, ky është një vendim që Këshilli do ta marrë në një moment të dytë dhe do të ketë brenda edhe nuanca pragmatizmi në kuptimin që ne kemi nevojë ta fillojmë SPAK, por kemi edhe nevojën që ky organizëm i ri që do të krijohet të mos përmbytet nga punët, por të ketë një numër të arsyeshëm prokurorësh që do të shërbejnë dhe do ta bëjnë punën siç duhet”, tha Genti Ibrahimi. Por duke qenë se nga 23 kandidatët, 10 prej tyre janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pritet që një pjesë e tyre të jenë të renditur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për t’u emëruar në SPAK. Ata janë të favorizuar sepse kanë kaluar sfidën e vetingut, por kanë pasur në dorë edhe dosje të bujshme. Mes 10 të konfirmuarve, KLP mund të zgjedhë vetëm një pjesë prej tyre. Pjesa tjetër mund të jenë edhe prokurorët që nuk e kanë kaluar akoma vetingun. Në këtë situatë, kur një pjesë janë rivlerësuar me sukses dhe pjesa tjetër janë ende në pritje të vendimit të KPK, Prokuroria e Posaçme mund të nisë nga puna edhe vetëm me ata që tashmë janë konfirmuar. Sipas burimeve të gazetës, vendimi i parë që do të marrë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të jetë ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pra, këto dy struktura pritet të jenë gati brenda muajit tjetër.
Tronditet politika
Konstituimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit brenda korrikut është një lajm i keq për pushtetarët e korruptuar. Ata do të jenë subjektet që do të hetohen nga prokurorët e SPAK për çdo vepër korrupsioni të kryer. Duke qenë se dy organet kryesore që iu është besuar lufta antikorrupsion pritet të nisin nga puna në vjeshtë, kjo do të sjellë edhe një valë arrestimesh të bujshme. Të gjithë zyrtarët e lartë janë të rrezikuar. Dihet që ka shumë ish-ministra që iu kanë shpëtuar hetimeve. Ka edhe nga ata zyrtarë të tjerë që janë akuzuar gjithmonë për afera korrupsioni nga më të ndryshmet. Duke nisur nga vjeshta, asnjë prej tyre nuk do t’i shpëtojë më drejtësisë së re.
Mimoza Ibra