Hapet në GKA ekspozita retrospektivë me vepra të Kol Idromenos

0
443

Në Galerinë Kombëtare të Arteve u çel ekspozita retrospektivë e artistit Kol Idromeno. Kjo është ekspozita e parë në të cilën prezantohet vepra e Kolë Idromenos si e plotë. Ekspozita është me  vepra që janë pjesë e koleksionit të GKA, galerisë së Arteve në Shkodër, Muzeut Historik Shkodër, koleksionistëve privatë. Por pjesë e kësaj ekspozite janë dhe fotografi nga arkiva të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit​. Në tablo janë ekspozuar “Autoportret”, “Portreti i së shoqes”, “Portret i Mati Kodhelit”, “Motra Tone”, “Dasma Shkodrane” apo “Dy rrugët”. Në këtë ekspozitë për herë të parë prezantohet edhe portreti i rrallë nga Idromeno i vitit 1927, i cili është identifikuar që është kleriku Ernest Çoba. Ekspozita në GKA është kuruar nga Erzen Shkololli, që së bashku me këshilltarët e ekspozitës Eleni Laperi, Zef Paci dhe Afërdita Onuzi prezantuan veprat e Kol Idromenos, në pikturë dhe fotografi, si dhe veshjet tradicionale shqiptare të qytetit të Shkodrës, që i gjejmë kryesisht në portretet e tij. Studiuesja Eleni Laperi ka bërë një hulumtim të gjatë në krijimtarinë e tij dhe shprehet se me Kol Idromenon fillon realizmi në artin shqiptar. “Është artisti më i rëndësishmi në historinë e artit shqiptar, sepse në të fillon realizimi në artin shqiptar. Mati Kodheli ka qenë shok fëmijërie i Idromenos dhe në historinë e artit shqiptar ky është portreti i parë që ka bërë Idromeno, sepse ka vitin 1881 dhe “Motra Tone” është pikturuar në 1883”, shprehet mes të tjerave studiuesja Eleni Laperi. Etnografja Aferdita Onuzi, që ka botuar monografinë “Elementë etnografikë në veprën e Idromenos” përshkruajti elementet etnografike që i gjejmë në disa nga veprat e tij (veshje, stoli, etj); dhe që në ekspozitë sillen nga arkivat e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit. “Të gjithë këto pjesë veshjesh dhe aksesorët e paraqitur këtu janë në funksion të krijimtarisë artistike të Kol Idromenos si piktor dhe fotograf. Në fakt si piktor pothuajse i gjejmë në këto që janë ekspozuar këtu, ndërsa fotografitë e tij janë të shumta dhe në jemi përpjekur të paraqesim dhe elementë të bëra në foto nga Idromeno”, u shpreh etnografja Onuzi. Në prezantimin e ekspozitës, studiuesi Zef Paci, që ka hulumtuar fotografinë e Kol Idromenos analizoi disa nga fotografitë e tij, duke hedhur dritë mbi subjektet që kane pozuar për artistin, në studion e tij apo edhe në rrugët e qytetit të Shkodrës.

Aktiviteti dhe krijimtaria

Kol Idromeno (Shkodër 15.8.1860 – 12.12.1939) njihet si piktor, arkitekt, urbanist, skulptor, fotograf , muzikant, skenograf. Mban titullin “Piktor i Popullit. Piktori Kol Idromeno është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX – XX. Pietro Marubi (piktor, arkitekt dhe fotograf) një emigrant italian me banim në Shkodër, ka qenë mësuesi i parë i Idromenos. Vizatimet dhe akuarelet e para (të njohura) të Idromenos i përkasin viteve 1871-1874. Në vitin 1875 Idromeno ishte student për gjashtë muaj në Akademinë e Arteve në Venecia, por pas shkëputjes prej saj, nuk largohet nga qyteti dhe qëndroi si ndihmës në studion e një piktori venecian për tre vjet. Kur u kthye në Shkodër, mori pjesë në lëvizjen antiosmane për pavarësinë e Shqipërisë duke qenë në rrethin e intelektualëve të kohës (poetë e shkrimtarë). Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone”, që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën  shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë. Ekspozoi në Romë, Budapest, Vjenë, Bari, New Jork (gjatë viteve 1898 – 1939). Piktori Idromeno përdori në tablotë e tij një penelatë uniformë koloristike, pa shumë kontraste, duke shpërndarë në tablo një dritë të qetë. Idromenos i pëlqente realizmi fotografik, në tablotë e tij, përveç portreteve të familjes, gjejmë të realizuara portrete të  miqve dhe shtresës së pasur të qytetit  të tij të veshur me kostumet tradicionale shqiptare. Pas tablove të para me temë fetare “Dy rrugët” (1896), “Fluturimi i Zojës”(1890 – 96) etj, Idromeno pikturoi tema nga historia, jeta dhe zakonet tradicionale të popullit si: “Portreti i Skënderbeut”, “Dasma Shkodrane”, “Plaku i Postribës”, “Oborr shtëpie shkodrane” etj. Idromeno ishte piktori më i rëndësishëm i pikturës realiste shqiptare të gjysmës së pare të shekullit XX. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ndodhet dhe koleksioni më rëndësishëm i artistit.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here