Dështoi në miqësoret sllovene, Partizani “zbarkon” në Itali për sulmuesin e Peskarës

0
402

Partizani u shpall kampion këtë vit, pas një pritje 26-vjeçare. Ai do të marrë pjesë në turet paraeliminatore të Ligës së kampioneve, me ambicie për të kapur fazën e grupeve të Ligës së Europës, apo që të bëjë më e pakta një paraqitje të mirë në Champions. Por përballë Partizanit do të jetë Karabagu, ish-skuadra e mbrojtësit të Kombëtares, Ansi Agolli, një skuadër që vitet e fundit ka marrë pjesë rregullisht në kupat e Europës dhe ka luajtur deri në fazën e grupeve të kompeticioneve të UEFA-s, një ekip që ka kualitet, eksperiencë dhe natyrisht shihet favorite përballë Partizanit tonë. Sidoqoftë, “demat” synojnë të luajnë mirë e pse jo të kualifikohen, madje në radhët e klubit dhe të grupit ka entuziazëm, edhe pse pranohet superioriteti i Karabagut. Ndërkohë, duke zhvilluar fazën përgatitore në Slloveni, Partizani ka dëshmuar këto ditë seriozitet, por ka probleme për të marrë rezultate. Ka luajtur dy ndeshje miqësore ku ka zhgënjyer totalisht në sulm. Partizani nuk ka bomber dhe trajneri Franko Lerda është i bindur tashmë se të kuqve u duhen përforcime cilësore në repartin ofensiv, në mënyrë që të bëhet diferenca. Në fakt, klubi i Partizanit është aktualisht i grumbulluar për fazën përgatitore në Slloveni. Të kuqtë e kanë fokusuar vëmendjen te ndeshja e vlefshme për turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve ndaj kampionëve të Azerbajxhanit. Skuadra ka zhvilluar dy ndeshje miqësore deri më tani, në të cilat ka dështuar duke pësuar humbje dhe duke lënë një shije të hidhur te trajneri i ri, Franko Lerda. Skuadra ka treguar dobësi në mbrojtje, teksa edhe reparti sulmit ka lënë për të dëshiruar. Megjithatë, kampionët e Shqipërisë janë hedhur në merkato për të përforcuar repartin ofensiv, teksa është larguar sulmuesi Rubin Hebaj. Nga mediat përtej Adriatikut, mësohet se të kuqtë janë të interesuar për futbollistin Santiago Belini, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Peskarës në Serinë B, me formulën e huazimit nga klubi uruguaian i Montevideo Uanderers. Sulmuesi uruguaian ka zhvilluar 9 ndeshje në sezonin e kaluar me Peskarën, por pa arritur të gjente rrugën e rrjetës. Duket sikur palët kanë interesin për të konkretizuar marrëveshjen për 22-vjeçarin, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të shkojë tratativa në ditët në vijim. Ndërkohë, klubi i kuq vijon përgatitjet për ndeshjet në Champions League, ku “demat” do të kenë përballë Karabagun e Azerbajxhanit, ish-skuadrën e Ansi Agollit. Klubi i Partizanit është njoftuar dje zyrtarisht edhe për orarin e ndeshjes së kthimit në turin e parë të Ligës së Kampioneve ndaj Karabak. Nëse për sfidën e parë të kuqtë janë të detyruar të luajnë në orën 17:30 për shkak të moslicencimit të ndriçimit artificial në “Selman Stërmasi”, në ndeshjen e dytë, ata do të luajë në orar darke në Azerbajxhan. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Dalga Arena” në qytetin e Baku dhe orari që ka përzgjedhur pala azere është 21:00 me orën lokale në 17 korrik. Kjo do të thotë që ndeshja luhet me orën 19:00 shqiptare, për shkak të diferencës kohore me dy orë për largësinë mes shteteve. Stadiumi ku do të luhet ndeshja është një impiant i vogël në qytetin e Baku i cili ka një kapacitet prej 6500 spektatorësh. Duke e ditur se nuk do të mbushte asnjë nga stadiumet e mëdha për ndeshjen me të kuqtë, karabak ka preferuar këtë impiant më të vogël për sfidën me ekipin shqiptar. Sigurisht, azerët nuk kanë probleme si ato tonat sa u përket licencimeve të impianteve, pasi sfida qartësisht do të zhvillohet nën ndriçimin artificial të stadiumit. Deri në datën e zhvillimit të ndeshjeve Partizani do të përpiqet të përmirësojë cilësinë e lojës dhe të kap maksimumin e vet, me shpresën se mund ta kalojë një raund në Champions League.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here