Aktivitetet e shumta që Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave ka zhvilluar gjatë gjithë sezonit artistik kanë rritur ndjeshëm jo vetëm numrin e spektatorëve por dhe dëshirën e fëmijëve për të qenë gjithmonë pranë tij në të gjitha aktivitetet artistike. Drejtori fajton Sulstarova shprehet se për herë të parë është realizuar një tur veror artistik, i cili përfshin festar të ndryshme të vendit tonë. “Për këtë arsye duke dashur që të jemi gjithmonë pranë fëmijëve me artin dhe edukimin përmes tij u mendua të realizohet për herë të parë në një formë mjaft origjinale një tur veror artistik, i cili përfshin fshatrat e Shqipërisë si Zogaj, Shëngjergj, Katund i Vjetër, Rehovë, Gjinar, Roshnik, Lin, Radë, Lazarat, Mursi dhe të tjerë”, shprehet për këtë tur veror drejtori Fatjon Sulstarova. Turi artistik “Erdhi Teatri” është menduar të promovojë projektin kombëtar të “100 fshatrave” në vetvete, por jo vetëm kaq, pasi sipas drejtorit Fatjon Sulstarova, në formatin e tij ky tur artistik ka jo vetëm shfaqje me kukulla për fëmijët. “Por edhe aktivizimin e fëmijëve pjesëmarrës, të cilët pikturojnë impresionet e tyre të marra në moment, kërcejnë e luajnë sëbashku me aktorët”, vijon drejtori Sulstarova në reagimin e tij. jemi në stinën e nxehtë të verës dhe artistët po mirëpriten kudo që shkojnë në fshatra me aktivitetin e tyre artistik. Në një kohë kur deri tani shfaqjet kanë qenë të përqendruara kryesisht në Tiranë dhe në Teatrin e Kukullave, përmes këtij turi veror jeta artistike po zhvillohet në zona të ndryshme larg kryeqytetit. Për drejtorin Fajton Sulstarova është mirë që ky projekt të mos jetë vetëm gjatë verës por të jetë i shtrirë përgjatë gjithë vitit. “Ky projekt kulturor, i cili në shpërndarjen e tij gjeografike zhvillohet nëpër fshatra është i pari i llojit të tij, duke parë etjen e madhe që këto zona kanë për artin do të shikohet të mundësohet edhe përgjatë vitit për të mos ja lënë vetëm sezonit veror, për të cilën dua të falenderoj Ministrinë e Kulturës e në veçanti znj. Elva Margariti për sugjerimet, mbështetjen dhe promovimin e kësaj nisme”, shprehet mes të tjerave drejtori Fajton Sulstarova drejtor i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe të Teatrit të Kukullave.








































