Grand gala e solistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit solli për publikun pjesë nga kryeveprat operistike të autorëve të njohur. Në “arTurbina” ato u interpretuan nga solistë të njohur të operës. Mbrëmë për publikun ishte një shfaqje e madhe gala, ku sipas teatrit u përshkrua e tërë tradita operistike. Solistët dhe orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit interpretuan kryeveprat e kompozitorëve Verdi, Puccini, Giordano, Mascagni, Gounod, Massenet, Kalman. Grand gala e solistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit solli në skenë “Un ballo in maschera”, “Simon Boccanegra”, “Tosca'”, “Turandot”, “Il Trovatore”, ” Traviata”, “Faust”, “Cavalleria Rusticana” e shumë kryevepra të muzikës operistike, që u interpretuan mbrëmë nga solistët Eva Golemi, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Ramona Tullumani, Renisa Laçka, Nina Muho, Ylber Gjini, Armaldo Kllogjeri, Denis Skura, Xhieldo Hyseni, që u shoqëruan nga Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit. Por në këtë mbrëmje gala nuk munguan dhe duete. Kështu në program erdhi opera “La Traviata” – prelud – duet ” Parigi, o cara” Giuseppe Verdi ku interpretuan artistët Ramona Tullumani dhe Armaldo Kllogjeri, opera “Cavalleria Rusticana” duet -“Ah! Lo vedi, che hai tu detto?” – Pietro Mascagni interpretuan solistët e operës Eva Golemi dhe Denis Skura. Opera “ Il Trovatore” aria “Tacea la notte placida” nga Verdi u interpretua nga Nina Muho, opera “Un Ballo in Maschera” aria “Di’tu se fedele” Verdi u interpretua nga Armaldo Kllogjeri, opera “Un Ballo in Maschera” aria “Ecco l’orrido campo” Verdi në skenë u përcoll nga sopranoja Shpresa Beka. Opera “Simon Boccanegra” aria “Il lacerato spirito” Verdi në skenë u interpretua nga Xhieldo Hyseni, opera “Tosca” aria “ Vissi d’arte” nga Puccini u soll në skenë nga sopranoja Eva Golemi, etj. “Cavalleria Rusticana” intermezzo – Pietro Mascagn u ekzekutua nga Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit, “Faust” “Dance Antique” – Charles Gounod u ekzekutua po nga orkestra e TOB.
“Il Trovatore” në skenë
Kur sezoni artistik është drejt mbylljes, opera “Il Trovatore” ishte premiera më e madhe e sezonit operistik janar-qershor 2019 në TOB. Shfaqja u zhvillua në skenën e Pallatit të Kongreseve në 8,9,10 dhe 11 maj. TOB bënte me dije se ky ishte një produksion ndërkombëtar, i cili bëri bashkë artistë të huaj dhe shqiptar. Me një skenografi ndër më të mëdhatë të realizuara ndonjëherë nga TOB, ky produksion është një bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Shqipëri dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian. “Il Trovatore” është një opera e Giuseppe Verdi-t e shfaqur për herë të parë në 19 Janar 1853 në Teatrin Apollo të Romës. Së bashku me “Rigoletto” e “La Traviata ”, kjo opera bën pjesë në të ashtuquajturën triologjia popullore verdiane. Libreti në katër akte është marrë nga drama “El trovador” e autorit Antonio Garcia Gutierrez. Ishte vetë Verdi, që pati idenë të nxirrte një opera nga një vepër e Gutierrez, duke ia besuar Salvadore Cammarano-s përpunimin e libretit. Poeti napolitan vdiq papritur në 1852, sapo përfundoi libretin dhe Verdi, që dëshironte të bënte disa shtesa apo modifikime të vogla, u detyrua të kërkonte ndërhyrjen e një bashkëpunëtori të të ndjerit Cammarano, Leone Emanuele Bardare. Vetë Verdi, veç të tjerash, ndërhyri personalisht në vargjet finale, duke i shkurtuar. Shfaqja e parë qe një sukses i madh: siç shkruan në kronikën e kohës Julian Budden. Me asnjë nga veprat e tij, madje as me “Nabucco”, Verdi nuk arriti të prekë kaq shpejt zemrën e publikut.
Nga Julia Vrapi








































