Laguna Kune-Vain, Talë është zona e parë e mbrojtur në vend e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë. Parku i kësaj lagune cilësohet si një nga më interesantët ndërkohë që ka një mungesë të theksuar infrastrukture për ta aksesuar. Së fundmi Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të ndërhyjë duke vënë në dispozicion 1 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën brenda kësaj zone. Referuar dokumenteve theksohet se aktualisht ajo është në gjendje problematike.
“Infrastruktura rrugore ekzistuese që përshkon lagunën nga hyrja në park e deri në fund të kanalit që lidhet me detin, objekt i këtij studimi mund të përshkruhet si rruge pa standarde. Rruga ekzistuese është e pashtruar dhe pa nënshtresat e paketës së rrugës. Gjendja e tyre paraqitet tejet e amortizuar dhe kërkon ndërhyrje me infrastrukturën e nevojshme në trupin e rrugës.
Me përjashtim të punimeve të kryera në këtë rrugë nga rruga nacionale Tiranë- Lezhë deri tek hyrja e parkut që është e shtruar me asfalt me parametra bashkëkohore, pjesa tjetër e rrugës në vazhdim është mirëmbajtur duke mbushur gropat e krijuara nga reshjet.
Në pjesë të veçanta të rrugës, mungesa e disiplinimit të ujërave te shiut ka bërë që në trupin e rrugës të krijohen gropa dhe kanale të vegjël nga gërryerja e ujit sipërfaqësor, ndërkohë nga pikëpamja teknike mund të thuhet se mungojnë shtresat rrugore ” thuhet në dokument.
Laguna e Kune Vainit është e pozicionuar në jugperëndim të qytetit të Shëngjinit, në perëndim të fshatrave të Ishull Shëngjinit dhe Ishull Lezhës. Rruga ekzistuese që do të rikonstruktohet përshkon lagunën nga porta hyrëse deri tek kanali qe lidh detin me lagunën. Zona e Kunes është rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë atij të Shëngjinit. Zona në studim e është rruga hyrëse e lagunës Kune-Vain-Tale rreth 2.4 hektarë.








































