Spartak Ngjela: Meta kërkon të jetë monark absolut, nuk dominohet politika me dhunë, jemi Republikë Parlamentare

0
330

Avokat Spartak Ngjela ka komentuar ditën e djeshme deklaratat e presidentit Ilir Meta. Ky i fundit u shpreh se vendin do e drejtojë vetë ai, duke shpërthyer në sulme edhe në drejtim të ndërkombëtarëve. Përmes një postimi në rrjetin social, Ngjela ka akuzuar Metën se po shkel nenin 2 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se sovrani i përket popullit dhe zgjidhet prej tij. Por sipas avokatit, Meta është në regres mendor dhe është vetëshpallur monark absolut. “Kur një president i një republike parlamentare që është zgjedhur nga Parlamenti, befas pretendon të jetë monark absolut dhe mbi Parlamentin, shoqëria kalon në tragji-komedi; kurse presidenti i vetëshpallur monark absolut, përfundon shumë keq. Kjo është gjendja e sotme në Shqipëri. Presidenti Ilir Meta nuk ka aftësinë intelektive të kuptojë se çfarë është sovraniteti dhe kush është mbajtësi i tij. Prandaj, duke qenë në regres mendor, po i duket vetja sovran. Jo. Këtë marrëzi ia ndalon kushtetuta në nenin 2 të saj, kur shprehet: Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit; Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Kjo është esenca e demokracisë në një republikë parlamentare. Të dy pikat e nenit 2 të Kushtetutës së Shqipërisë duhet t’i kujtojnë presidentit Meta që posti i tij nuk ka lidhje me sovranitetin, dhe çdo hap antisovranitet është tradhti kombëtare”, tha Ngjela. Sipas avokatit, presidenti dhe opozita duan të dominojnë në politikë me dhunë, duke shtuar se sulmi i Metës ndaj ndërkombëtarëve është e papranueshëm. Sipas tij, ka ardhur koha që qeveria dhe faktori ndërkombëtar t’i japin Metës dënimin e merituar në bazë të ligjit. “Kjo është arsyeja kushtetuese shtetërore në Shqipërinë e sotme. Dhe, a e kuptoni tani se në çfarë lloj akti kanë hyrë presidenti i Shqipërisë dhe një apo disa parti politike që kërkojnë të dominojnë politikën me dhunë? Ligji nuk mund t’i tolerojë, kurse qeveria shqiptare nuk po zbaton as Kushtetutën dhe as ligjin. Prandaj ka ardhur koha që shteti duhet të godasë antishtetin me të gjitha mjetet. “Shqipërinë e drejtoj unë – tha presidenti – dhe jo Amerika e Italia”, për faktin që perëndimorët ia quajtën nul aktet e tij. Por, më çfarë e drejton Shqipërinë ky president, i di ky kompetencat kushtetuese që ka? Perëndimorët po qeshin me të, por nuk e di se ku ndodhet kryeministri shqiptar, do ta vijojë forcën parlamentare? Shqiptarët dhe perëndimorët po presin që këtij presidenti, dhe atyre që duan anarkinë, t’iu vendoset këmisha e forcës së ligjit”, tha Ngjela. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here