Gent Cakaj, ministri i Jashtëm ka deklaruar se lajmi se KE ka anuluar delegacionin e tij për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri, është i pavërtetë.
“E para nuk është një vendim i këtij institucioni, i Këshillit të Europës, që ju referuat. Është i pavërtetë. E dyta mua nuk më takon të komentoj mbi veprimet e organizatave të caktuara. Mua më takon të komentoj politikisht se zgjedhjet e 30 qershorit janë legjitime dhe kanë marrë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve”, është shprehur ai.
Kongresi i autoriteve vendore për promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut i cili nuk ka lidhje me Bashkimin Europian ka shpërndarë ditën e sotme një deklaratë ku deklaron se ka vendosur të anulojë delegacionin e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, për shkak të paqartësisë lidhur me organizmin e tyre.
“Këshilli i Europës ka vendosur të anulojë Delegacionin e Kongresit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Shqipëri për shkak të paqartësisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor si edhe rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara ku do mbahen zgjedhjet.
Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar anulimi në çastet e fundit dhe ju falënderojmë për gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kongresin”, thuhet në njoftim.
Selia e kësaj organizate ndodhet në Francë dhe nuk ka asnjë funksion institucional pranë BE-së. Mësohet se pjesë e kësaj organizate është edhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi.