Apeli nis procedurat për shkarkimin e Zaganjorit, komisioneri zbardh batërdinë me pasurinë, ja pse kryegjyqtari nuk justifikon të ardhurat

0
367

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi dje nga puna për të shkarkuar kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ai u konfirmua në vitin 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisioneri Publik renditi mesditën e djeshme të gjitha arsyet pse Zaganjori nuk duhet të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë. Gjatë seancës së parë publike të mbajtur në KPA, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa deklaroi se për kryegjyqtarin e Gjykatës së Lartë janë gjetur një sërë problemesh me pasurinë. Si fillim, Ballhysa kishte konstatuar mospërputhje mes deklaratave veting dhe atyre të përvitshme për një apartament, një bodrum, një bibliotekë-dyqan dhe një zyrë. “Apartamenti i banimit në deklaratën e vitit 2003 është deklaruar me vlerë 7.400.000 lekë, ndërsa në deklaratën veting me vlerë 5.800.000 lekë. Për pasurinë bibliotekë në deklaratën veting është deklaruar shuma 1.400.000 lekë, ndërsa në deklaratën e vitit 2003 1.800.000 lekë. Pasuria bodrum është deklaruar në deklaratën veting me vlerën 800.000 lekë, ndërsa në deklaratën e 2003 1.500.000 lekë. Zyra në deklaratën e 2003 ka vlerë 1.500.000 lekë, ndërsa në deklaratën veting 400.000 lekë. Për sa më sipër konstatojmë se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar saktësisht vlerën e pasurisë. Sipas kontratave të shit-blerjes, çmimi i blerjes i secilës prej këtyre pasurive është 500.000 lekë, dhe nuk pasqyron vlerën reale të tyre apo atë të deklaruar në masë të ndryshme përgjatë viteve, nga subjekti i rivlerësimit”, tha Ballhysa në seancë. Pasaktësi Komisioneri i ka gjetur Xhezair Zaganjorit edhe për një apartament të blerë për 32 mijë dollarë. Në deklaratën e vitit 2006 Zaganjori nuk e ka deklaruar burimin e krijimit të pasurisë. Ndërsa në deklaratën veting burim krijimi janë deklaruar të ardhurat personale të tij dhe të bashkëshortes dhe të ardhurat nga qiratë.

Zaganjori nuk shleu detyrimet tatimore

Komisioneri Publik ka konstatuar edhe një shkelje tjetër të kryetarit të Gjykatës së Lartë: atë të mos-pagimit të detyrimeve tatimore për qiratë. “Për qiratë e deklaruara për periudhën 2001 – 2003, subjekti ka paraqitur dokumentacion për të provuar pagesën e tatimit mbi të ardhurat e përfituara vetëm për vitin 2002, ndërkohë nuk rezulton të jetë provuar me dokumentacion provues pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat e realizuara në vitet 2001 dhe 2003, me qëllim konsiderimin e këtyre të ardhurave si të ardhura të ligjshme, në kuptim të nenit D, pika 3 e aneksit të Kushtetutës”, tha Ballhysa. Sipas Komisionerit, të ardhurat nga qiraja për periudhën janar 2004- dhjetor 2005, nuk mund të konsiderohen të ardhura të ligjshme sepse Zaganjori nuk ka paraqitur dokumentacion provues për pagesën e tatimit në burim. Po ashtu, mbi të ardhurat nga qiraja për vitin 2007, Zaganjori ka paraqitur kontratën e lidhur, nga ku rezulton se janë paguar detyrimet tatimore. Por sërish Komisioneri nuk e konsideroi atë të ligjshme sepse sipas tij, nuk provohet me dokument ligjor se për realizimin e kësaj të ardhure është shfaqur vullneti ligjor i subjektit. Nga ana tjetër, Komisioneri Publik ka konstatuar se as bashkëshortja e Zaganjorit nuk ka shlyer detyrimet tatimore për pagën që ka përfituar pranë një shoqërie. Për këto arsye, në fund Komisioneri Publik kërkoi prishjen e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Xhezair Zaganjorit. Zaganjori i kundërshtoi këto gjetje, ndërsa depozitoi pranë KPA edhe 23 prova të reja. Për të marrë kohë në dispozicion për shqyrtimin e këtyre provave, KPA e shtyu seancën për në datën 10 korrik.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here