Ndonëse Partia Socialiste ashpërsoj dënimet në Kodin Penal për të gjithë ata që cënojnë procesin zgjedhor, Partia Demokratike “kërcënon” se nuk do të tërhiqet nga kauza e saj për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit. Selia blu iu përgjigj përmes një deklarate për media, paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për ndalimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Ish deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho u shpreh se asgjë nuk do të mund të shpëtojë Ramë, ndërsa thekson se opozita është e palëkundur kundër pushtetit të tij. “Pasi i la pa gjykata dhe drejtësi, Edi Rama sot i kërcënoi shqiptarët se do t’u heqë lirinë për të lëvizur nëpër botë, të cilën e fituan pas shumë vuajtjesh e sakrificash. Polici, gazlotjellës, dhunë, kërcënime frikësim, përçarje dhe nxitje të vëllavrasjes. Këto janë mjetet me të cilat Edi Rama po përpiqet të ruajë pushtetin dhe paratë që ka vjedhur. Nuk do ta shpëtojë dot asgjë. Opozita është e palëkundër kundër pushtetit të tij kriminal dhe shqiptarët janë të vendosur për të mbrojtur demokracinë dhe për të ndëshkuar politikanët e lidhur me krimin”, deklaroi ish deputeti Edmond Spaho. Po ashtu edhe ish deputeti Aldo Bumçi komentoi ndryshimet në Kodin Penal të propozuar nga mazhoranca. Gjatë një interviste televizive, ai e krahason kryeministrin Rama me ish diktatorin Enver Hoxha, duke shtuar se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa u tërhequr Rama nga posti i kryeministrit. “Edi Rama e ka bërë këtë propozim. Qytetarët duhet të kuptojnë se deri ku ka shkuar marrëzia e këtij njeriu. Kërcënohen shqiptarët nga heqja e vizave, por jo nga Edi Rama por nga BE. Opozita nuk do të hyjë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Kërcënimet me burg Rama nuk i bën kot. Këto janë kërcënime si të Enver Hoxhës, që dëbonte njerëzit dhe iu thotë “jetoni në Shqipërinë që kam ndërtuar unë, në këtë ferr””, u shpreh ish deputeti demokrat Aldo Bumçi.