KQZ iu kërkon militantëve të reflektojnë: Po kryeni vepra penale dhe po cenoni veprimtarinë institucionale

0
286

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi dje pas tensioneve të krijuara në disa bashki të vendit, ku militantët e PD-LSI tentuan të shkatërrojnë materialet zgjedhore dhe të zbrazin KZAZ-të. Në një letër publike, KQZ iu kërkon përfaqësuesve të partive opozitare dhe kryebashkiakëve që të reflektojnë dhe të heqin dorë nga kërkesa e tyre për lirimin e KZAZ-ve. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se kërkesa juaj është në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Në vijim të deklaratës publike të datës 14.06.2019, KQZ ripërsërit kërkesën për të reflektuar dhe shmangur veprime që pengojnë administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, veprime të cilat cenojnë kompetencat dhe të drejtën e KQZ dhe KZAZ-s nr. 43, pjesë e administratës së saj, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuar nga Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në letrën e KQZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ashtu i akuzon opozitarët se po cenojnë veprimtarinë institucionale e se po kryejnë vepra penale. “KQZ, çdo kërkesë apo veprim për çështje të administrimit zgjedhor, fushë dhe çështje për të cilat ligji 139/2015 nuk i parashikon në kompetencë të organeve të qeverisjes vendore, të cilat shkelin në thelb Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, parimet e përgjithshme, parashikuar në nenin 3 të tij, do ta konsiderojë cenim të veprimtarisë institucionale, marrëdhënieve juridike të vendosura me ligj, mospërmbushje të rregullt të detyrës nga ana juaj, me pasoja të rënda për interesat e zgjedhësve dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të datës 30.06.2019 dhe do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit. Ju kujtojmë se veprime të tilla përbëjnë vepër penale sipas nenit 248 “Shpërdorim i detyrës”, nenit 325 “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe nenit 326 “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor” të Kodit Penal të RSh”, vijon letra e KQZ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here