Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me tubimin elektoral të mohuar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi me pretendimin se nuk kishin sheshe të lira.
Rama e krahasoi vendimin e Ademit, me mbështetësit e fundit të diktaturës në kohën kur Partia Demokratike sapo ishte krijuar dhe kishte fituar mbështetjen e të gjithëve.
“Duan apo nuk duan, do të jetë dita e zgjedhjeve. Mbase plani është për të bërë një 2 prill tjetër sot pasdite. Sepse tregon se nuk ka ndryshuar asgjë në qasje dhe metodë të liderit supreme,”-u shpreh Rama.
PJESË NGA FJALA E RAMËS:
“Nga ana tjetër synon të mbjellë frikën tek njerëzit sikur çoç do ndodhë. Sot ne kemi planifikuar takimin në Shkodër. Enversitët përpiqeshin që t’i zinin rrugën PD, këta sot rishfaqen në grahmat e asaj partie që ka humbur busullën dhe që rrogëtarët e pahuar nga taksat në nivelin vendor po i përdor njësoj siç përdorte asaj kohe disa falanga njerëzish pa të ardhme. Ajo që është e trishtueshme është fakti që njësoj si në atë kohë kjo përpjekje nuk ka shumicën e shqiptarëve dhe asnjë mik apo partner. Të gjitha janë kundër gjithë kësaj që ndodh. A nuk iu kujton kjo Haxhi Qamillin që thoshte sa të kem Shijakun dhe Kavajën me vete nuk e *** për Francën dhe Anglinë. Pjesa e trishtueshme është pjesa e njerëzve të përdorur që po humbasin të drejtën që të punojnë për shtetin. Janë në shkelje flagrante të ligjeve edhe pse mund të ndjehen të imunizuar nga ligji. Jeta vazhdon edhe pas 30 qershorit. Duan apo nuk duan, do të jetë dita e zgjedhjeve. Sidoqoftë ajo që na takon është çka i takon kujtdo që është me të drejtën që të jemi të vendosur dhe të vetëpërmbajtur. Mbase plani është të bërë një 2 prill tjetër sot pasdite. Sepse tregon se nuk ka ndryshuar asgjë në qasje dhe metodë të liderit suprem.”
Voltana Ademi, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës nuk ka lejuar Partinë Socialiste që të zhvillojë miting në këtë qytet. Dy arsyet sipas Ademit janë: E para është dekreti i Presidentit Ilir Meta i cili i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. E dyta: Në këtë periudhë të sezonit turistik, Shkodra nuk ka ambiente publike të lira për tubime të tilla elektorale.











































