Presidenti i Republikës, Ilir Meta rrezikon të prangoset nga drejtësia e re. Shkarkimi i mundshëm nga Gjykata Kushtetuese do ta lërë atë pa imunitet, çka do ta bëjë shumë të brishtë para drejtësisë. Momentalisht, mazhoranca qeverisëse ka nisur një betejë shumë të ashpër ndaj tij, betejë e cila pritet të finalizohet me shkarkimin e kreut të shtetit. Qeveria do të bazojë kërkesën dhe iniciativën e saj për largimin e Metës nga posti i presidentit tek nëntë shkeljet që i janë gjetur këtij të fundit me vendimin për anulimin e zgjedhjeve vendore në 30 qershor. Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë sot kërkesën për shkarkimin e Metës e më pas do të ngrihet edhe një komision parlamentar hetimor. Pasi të kryhen të gjitha procedurat, shkarkimi i presidentit do të votohet në Parlament, ku duhet të marrë 93 vota pro. Më pas, ky vendim i Parlamentit shkon tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të thotë fjalën e fundit. Por sipas të gjitha gjasave, Kushtetuesja do ta rrëzojë Ilir Metën. Duke qenë se ai e ka shkelur në mënyrë të përsëritur Kushtetutën dhe mazhoranca i ka kopsitur argumentet, Gjykata Kushtetuese pritet ta ndëshkojë presidentin duke lënë në fuqi vendimin e Parlamentit për shkarkimin e tij. Por siç e thamë edhe më lart, kjo do të thotë se Meta nuk gëzon më imunitet, çka e bën atë një “pre” të lehtë për drejtësinë. Procedurat për arrestimin e tij thjeshtohen shumë dhe në momentin më të parë që konstatohet një shkelje, organet ligjzbatuese mund të vihen menjëherë në lëvizje pa pritur heqjen e imunitetit.
Pasuria e Metës dhe lidhjet me rusët
Fundosja Ilir Metës mund t’i vijë nga pasuria e tij marramendëse, por edhe nga lidhjet e tij me Rusinë. Bashkë me Monika Kryemadhin, ai gëzon një super pasuri. Në vitin 2008 Meta dhe kryemadhi kanë deklaruar dhe llogaritë e tyre të para në bankë. Por në vitin 2010 dhe për koinçidencë vit kur LSI ishte në qeveri me PD, pasuria e tyre ka nisur të lëvizë. Meta ka deklaruar në ILDKP shtesë në llogarinë Bankare Credins Bank 135.318 lekë, apartament banimi 200 metra katrorë te Rr. Barrikada me vlerë 400.000 euro. Ai po ashtu ka deklaruar apartament 2+1 dhe ka pasur në pronësi vetëm 25 për qind të tij. Po ashtu ka deklaruar një banesë në Golem 327 m2 blerë 60 mijë dollarë, të cilat janë marrë kredi në bankë. Por e njëjta banesë 3 vite më pas është shitur 300 mijë euro, pra me një çmim shumë herë më të lartë, çka është pak e dyshimtë. Meta pa imunitet do të duhet të japë llogari për çdo pasuri të vënë prej tij dhe çdo lëvizje të dyshimtë të kryer. Nga ana tjetër, presidenti ynë drejt shkarkimit njihet edhe si një filo-rus i thekur. Ai është i dyshuar për lidhje me Rusinë dhe bashkëpunim me të kundër stabilitetit të vendit. Në çdo dalje mediatike Meta e ka mbrojtur Rusinë. Duke qenë se dyshimet janë që Meta dhe Rusia bashkëpunojnë kundër Shqipërisë, atëherë nëse faktohet kjo presidenti do të duhet të japë llogari para drejtësisë. Ilir Meta nga ana tjetër njihet edhe si antiamerikan. Vetëm pak ditë më parë ai e sfidoi SHBA, duke deklaruar se nëse do të vëzhgojë zgjedhje, të shkojë në Korenë e Veriut. “Nëse ka ndonjë Europian, pro amerikan, që do të shohë dhe monitorojë zgjedhje të tilla le të shkojë në Korenë e Veriut, të marrë vesh kur i kanë ata zgjedhjet, se në Shqipëri zgjedhje të tilla nuk mund të ndodhin më dhe mësojeni të gjithë brenda dhe jashtë vendit, këtu ka ardhur pluralizmi politik ka ardhur që në dhjetor ’90”, tha Meta. Po ashtu, ai ka kërcënuar SHBA-BE me destabilitet dhe vetëvrasje për shkak të reformës në drejtësi. Të gjitha këto pika tregojnë rrezikun që i kanoset Ilir Metës nga drejtësia e re, sapo ai të mbetet pa imunitet. Pra, presidentin e pret një betejë e gjatë me drejtësinë sapo të shkarkohet nga Kushtetuesja. Ai do të duhet të japë llogari për pasurinë, lidhjet me rusët dhe punën kundër Shqipërisë.
Mimoza Ibra








































