Mazhoranca ka nisur zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Sot është mbledhur Komisioni i Ligjeve, ku kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka parashtruar argumentet për shkarkimin e Metës pas dekretit për të shtyrë zgjedhjet.
Nisma u kundërshtua nga deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni, i cili hyri në Parlament si pjesë e listave shumëemërore nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Nuk e di nëse keni shkarkuar ndonjëherë President. Keni sjellë këtu një nismë të thjeshtë ligjore”, u shpreh Gjoni. “I thërras arsyes tuaj politike. Vendi po shkon drejt një kaosi të panevojshëm. Brenda 7 ditëve, Presidenti anulon datën, nuk hapen negociatat, Parlamenti bën karshillëk dhe shkarkon Presidentin. Një kalendar kaq i shpejtë është i nxituar. Brenda datës 26 qershor, ju do të çoni raportin në seance plenare. Shtyjeni pas zgjedhjeve”.
Komisioni sot me gjasë do të vendosë edhe për ngritjen e një Komision Hetimor për shkeljet e Presidentit Meta. Në rast të krijimit, Komisioni Hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur.










































