Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zhvilluar seancën e parë publike për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Tiranës, Gentjan Medja. Medja përfundoi në KPA pas ankimimit që Komisioneri Publik bëri kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke kërkuar rivlerësimin e tij për kriterin profesional. Por kjo çështje duket se ka rezultuar e ndërlikuar për trupën gjykuese të KPA. Gjatë seancës dëgjimore, Komisioneri Publik kërkoi që me qëllim që rivlerësimi profesional për Medjan të jetë i drejtë dhe i paanshëm, të hartohet një metodologji e re për ta kryer këtë proces. Sipas propozimit, vendimet që janë pjesë e procesit të rivlerësimit profesional duhet të klasifikohen në kritere vlerësuese duke përcaktuar shenja pozitive apo negative për të nxjerrë një shumatore finale që të tregojë në mënyrë më pak subjektive nëse subjekti është i aftë, “me mangësi” apo “i papërshtatshëm”. Në një proces të zakonshëm, rivlerësimi profesional bazohet duke përzgjedhur në mënyrë rastësore pesë dokumente nga lista e dokumenteve të prodhuara nga subjekti i rivlerësimit si dhe duke pranuar tre dokumente që subjekti i rivlerësimit i zgjedh vetë. Komisioneri përmendi një listë të gjatë me probleme në këto vendime, por Gentjan Medja i kundërshtoi ato. Sa i takon problemit për mosmbajtjen e procesverbaleve gjyqësore, Medja deklaroi se pavarësisht se ai është konstatuar si problem, nga ai nuk ka rrjedhur asnjë pengesë në procesin e punës. Lidhur me afatet për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore, që po ashtu u ngrit si shqetësim nga Komisioneri Publik, gjyqtari u shpreh se afatet janë sugjeruese dhe jo detyruese. Sipas tij, kohëzgjatja e një procesi gjyqësor varet nga një sërë rrethanash dhe faktorë të tjerë, të tilla si: infrastruktura e gjykatës, disponibiliteti i gjyqtarëve apo kompleksiteti i çështjes gjyqësore. Duke e konsideruar çështjen si të ndërlikuar, trupa gjykuese vendosi shtyrjen e seancës. “Për shkak të kompleksitetit të çështjes, si dhe për arsye objektive, për shkak të zhvillimit të një séance tjetër gjyqësore të planifikuar, seanca e subjektit të rivlerësimit Gentian Medja u shty për në datën 09.07.2019, ora 10:00”, njoftoi KPA.










































