Detaje te reja pas arrestimit të 52-vjeçarit, shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe dënuar me 5 vjet burg.
Arrestimi i tij është bërë nga shërbimet e Seksionit të Kërkimit pranë Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Policia tha se i arrestuari është Bilbil Elezaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi autoritetet gjyqësore në Bolonja të Italisë, me vendimin nr. SIEP 815/2018, datë 25.10.2018, e kanë dënuar me 5 vjet burg për veprën penale “Kanosja me anë të shtrëngimit për dhënie pasurie”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal italian. Bilbil Elezaj, në janar të vitit 2015 u zbulua pas operacionit më të madh antimafioz të regjistruar ndonjëherë në Emilia Romagna të Italisë.
I gjithë ky proces i quajtur “Aemilia” pati të pandehur 218 persona, mes tyre edhe shqiptarin Elezaj. Ai u shpall fajtor në Gjykatën e Shkallës së Parë për veprën penale të zhvatjes së shumëfishtë dhe u kërkua të dënohej me 9 vite burg, por si përfundim u dënua me vetëm 5 vite burg.
Në atë operacion pati edhe zyrtarë të lartë të arrestuar, punonjës Policie dhe disa shtetas të huaj. Mediat italiane raportojne sot se ai ishte shoferi i besuar i shoqerise ku punonte dhe merrej direkt me kanosje dhe mbledhjen e parave.
Karabinierët, mbanin nen vezhgim gruan e 52-vjeçarit, në Itali. Ata raportuan per udhëtimet e pazakonshme nga Italia në Shqipëri të saj.
Policia ka identifikuar dy banesa ne Tiranë, ku takohej cifti. Dhe mengjesin e djeshem pasi u takuan, policia i ndoqi dhe i ndaloi prane aeroportit kur gruaja do te kthehej ne Itali.