Në një kohë kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka anuluar zgjedhjet vendore në 30 qershor, OSBE e sfidoi kreun e shtetit dje duke vijuar monitorimin e procesit zgjedhor. Sipas presidentit, ky proces nuk do të zhvillohet dhe fushata elektorale e përgatitjet e tjera nuk kanë më asnjë vlerë, por zyra e OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut publikoi një raport të ndërmjetëm ku tregon të gjitha gjetjet e saj lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit. Në fillim, aty theksohet se situata politike është e tensionuar për shkak të protestave të vazhdueshme të opozitës dhe sjelljes së kësaj të fundit. Kjo sipas raportit, ka ndikuar edhe tek përgatitjet për zgjedhjet sepse për shkak të bojkotit opozitar, mazhoranca garon e vetme në 31 bashki. “Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe Partisë Demokratike (PD) në opozitë, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), ku këto të fundit janë tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt. Partitë opozitare të udhëhequra nga PD-ja kanë organizuar protesta të vazhdueshme, në shumë prej të cilave u vu re prania e dhunës, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. PD-ja dhe LSI-ja, ashtu si edhe disa parti më të vogla opozitare nuk marrin pjesë në zgjedhje. Në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë”, thuhet në raport. Aty përmendet edhe akti i presidentit për shfuqizimin e zgjedhjeve, duke theksuar se pavarësisht këtij vendimi, KQZ vijon punën.
Zgjedhjet pa kundërshtarë dhe Kodi Zgjedhor
Një tjetër fakt interesat që vihet në dukje është se në Kod Zgjedhor nuk ka asnjë ndalesë që të zhvillohen zgjedhjet pa kundërshtarë. Kjo hedh poshtë pretendimet e Metës dhe opozitës, për të cilët këto zgjedhje pa garë nuk garantojnë standarde. “Më 10 qershor, presidenti dekretoi shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit që shfuqizonte dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon përgatitjet për zgjedhjet. Kryetarët e bashkive zgjidhen përmes sistemit mazhoritar, kurse anëtarët e këshillave përmes një sistemi proporcional listash të mbyllura në një kuadër ligjor që në masën më të madhe mbetet i pandryshuar që prej zgjedhjeve vendore të 2015-ës. Opozita u tërhoq nga procesi i reformës zgjedhore që filloi pak kohë pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës dhe që nuk çoi në asnjë ndryshim ligjor. Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë”, vijon më tej raporti.
Kërkesa e opozitës për komisionerë
OSBE i ka kushtuar një vëmendje edhe momentit kur opozita kërkoi që të përfaqësohej me komisionerë edhe pse nuk merrte pjesë në zgjedhje. Në raport pasqyrohet vendimmarrja e KQZ dhe e Kolegjit Zgjedhor. “Sipas ligjit, qeveria dhe partitë parlamentare opozitare kanë të drejtë të jenë të pranishme në të tre nivelet e administratës zgjedhore. PD-ja dhe LSI-ja nuk pranuan fillimisht të emëronin anëtarë në komisione, duke e lënë KQZ-në dhe 90 Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) pa anëtarë të emëruar nga opozita. Më pas, KQZ-ja doli me vendimin se partitë që nuk garojnë në zgjedhje nuk kanë të drejtë të emërojnë komisionerë. Ankesa e ngritur më pas kundër këtij vendimi u rrëzua nga gjykata në shkallë të fundit. Nga KZAZ-të dhe KQZ-ja janë regjistruar gjithsej 97 kandidatë për kryetarë bashkie, duke përfshirë 11 kandidate gra, si dhe 544 lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë. Ligji parashikon një kuotë gjinore përfaqësimi prej 50 për qind për secilën gjini në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Disa kandidatë dhe disa lista kandidatësh nuk janë pranuar për shkak të mosrespektimit të afatit për paraqitjen e dokumentacionit dhe/ose për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për vendbanimin ose kuotën gjinore. Fushata zyrtare filloi më 31 maj”, nënvizohet në raport. OSBE pasqyron edhe faktin se edhe pse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, janë disa parti të tjera që sfidojnë mazhorancën. “Përveç kandidatëve për kryetarë bashkie, dy koalicione, njëri i udhëhequr nga PS-ja dhe tjetri nga Partia Aleanca Kuq e Zi, si dhe 14 parti që garojnë më vete, kanë paraqitur kandidatë për këshillat bashkiakë. Ndonëse fushata mbetet përgjithësisht me vizibilitet të ulët, gjuha e përdorur dominohet nga polemikat dhe debatet nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. PS-ja nuk e ka pranuar publikisht dekretin e Presidentit, i cili synon shfuqizimin e dekretit për vendosjen e datës së zgjedhjeve dhe vazhdon të mbajë mitingje në kryeqytet dhe në qytetet kryesore”, vijon më tej raporti. Në fokus të OSBE janë edhe ftesat e vazhdueshme që kryeministri Edi Rama i bëri kreut të PD, Lulzim Basha për dialog. “Përmes disa letrash publike të postuara në mediat sociale në fund të muajit maj, Kryeministri e ka ftuar Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për dialog, duke konfirmuar në të njëjtën kohë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor dhe duke kundërshtuar krijimin e një precedenti të ndryshimit të datës së zgjedhjeve”, thuhet në raport.
Fushata elektorale
Në raportin e OSBE sqarohet edhe se fushata, e cila mbyllet një ditë para zgjedhjeve, është shoqëruar me akuza të shumta politike. “Periudha 30-ditore e fushatës filloi më 31 maj dhe përfundon në mesnatën e së premtes para ditës së zgjedhjeve. Deri tani fushata ka pasur vizibilitet të kufizuar dhe MVZ-ja e ODIHR-it ka vëzhguar vetëm disa forma vizuale të fushatës, si stenda afishimi dhe postera ose zyra fushatash në pjesën më të madhe të vendit. Shumë kandidatë janë shprehur për MVZ-në e ODIHR-it se kanë në plan të bëjnë fushatë duke përdorur median sociale, por edhe vizitat derë më derë dhe takime me zgjedhësit në grupe të vogla. Gjatë mitingjeve të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it, kandidatët janë fokusuar kryesisht tek çështjet lokale, sidomos tek infrastruktura, krijimi i vendeve të reja të punës, korrupsioni dhe profesionalizmi i administratës vendore”, thuhet në raport.
Mimoza Ibra