Policia e Shtetit ka zbardhur dhe ka dokumentuar me prova ligjore tre ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Elbasanit. Gjithashtu gjatë hetimit të një grupi kriminal që operon në këtë qytet është zbuluar dhe një rast korrupsioni në Autoritetin e Mediave Audiovizive. Gjatë operacionit “Krasta” forcat RNEA dhe FNSH bëri të mundur arrestimin e 10 personave, ku mes tyre një emër të njohur për drejtësinë Florenc Çapjan. Operacioni i koduar “Krasta”, nisi rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 12:00 të mesditës. Policia pas përfundimit të këtij aksioni ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjet e zbardhura të arrestuarit dhe sendet e paligjshme të sekuestruara. Për operacionin e zhvilluar prej orëve të para të ditës së djeshme në Elbasan janë arrestuar 10 persona, 2 prej të cilëve për 3 ngjarjet kriminale, 8 për rastin e korrupsionit te AMA dhe njëri u prangos, pasi iu gjetën dy armë zjarri gjatë kontrollit në banesë. Ndërkohë, që për katër rastet, tre të ngjarjeve të vjetra dhe atë të korrupsionit të zyrtarëve janë pesë persona në kërkim. Gjate këtij operacioni është ushtruar kontrolle në 13 ambiente në pronësi të fisit Çapja. Burimet thonë se gjatë operacionit janë shoqëruar disa persona, ndërsa Hekuran Gjeli është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje. Një prej të shoqëruarve është dhe Ardian Çapja i cilësuar si koka e familjes ndaj të cilit janë kryer më herët dhe disa atentate, ku më i bujshmi është ai i shkurtit të 2016 me 3 të vdekur dhe tetë të plagosur.
Zbardhja e ngjarjeve kriminale
Florenc Çapja është i arrestuar pasi akuzohet se është autori i vrasjes së mbetur në tentative në vitin 2006. Burime bëjnë me dije se ky hetim është rihapur në vitin 2018. Nga hetimet e kryera mësohet se autor i plagosjes së ish shefit të qarkullimit rrugor Fadil Mema është Florenc Çapja. Në atë kohë Mema u plagos në sy të familjarëve të tij. Ndonëse Çapja u shoqërua disa herë në polici, në asnjë moment nuk iu pre urdhër arresti për mungesë provash. Dyshimet ishin se atentati ndaj Memës u bë për shkak të hakmarrjes, pasi kunati i Fadil Memës, u akuzua për vrasjen e Sokol Çapajt, xhaxhait të Florenc Çapja duke nisur sagën e hakmarrjeve. Pas atentatit, familja Mema u largua në Itali, por në 13 Mars të 2015, Fadil Mema u qëllua për vdekje në Torino, me 6 plumba pistolete. Në atë kohë ngjarja ndodhi pranë banesës ku ai jetonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët ku kishte nisur jetën si shpërndarës gazetash. Masa e arrestit ndaj Çapajt, është dhënë vetëm për tentativën e vrasjes në 2006, ndërsa hetimet vijojnë për të parë nëse Çapaj do të jetë po ashtu i përfshirë në vrasjen e Memës në Itali. “Për procedimin penal nr. 40 viti 2006 nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se, autor i kësaj ngjarje është shtetasi Florenc Çapja, 38 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan lagja “Emin Matraxhiu”. Për këtë shtetas u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 477 datë 11.06.2019, për të cilin ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg” i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim të mbetur tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, sqaroi policia në lidhje me akuzat e ngritura ndaj 38-vjeçarit. Dosja e dytë e zbardhur lidhet me vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqiri, ngjarje e ndodhur në 15.08.2012, në lagjen “Çlirimi” Elbasan. Policia deklaron se pas hetimeve është zbardhur ngjarja dhe janë identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia thotë se autorë të vrasjes së babë e bir janë Ervis Bardhi 38 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Elbasan, “Lagja Shënkoll”, i cili është shpallur në kërkim dhe Etien Çani, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjia Çlirimi”, edhe ky shtetas i shpallur në kërkim. Ngjarja e tretë kriminale e zbardhur nga uniformat blu lidhet me pengmarrjen dhe plagosjen një personi, ngjarje e ndodhur në 19.04.2013 në qytetin e Elbasanit. Nga hetimet ka rezultuar se autorë janë Marjus Lulaj i njohur ndryshe si Suel Çela, 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagja 5 Maji”, aktualisht person i shpallur në kërkim për një tjetër vepër penale në bashkëpunim me Endri Çopjan, 30 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan i arrestuar si i akuzuar për tritolvënien në janar të vitit 2018 të “fortit” të Shkodrës, Lulëzim Kulla, kanë mbajtur peng për disa orë dhe kanë plagosur një person nga qytetit i Elbasanit.
Korrupsioni nga AMA- 7 te arrestuar 1 në kërkim
Ndërkohë që gjatë hetimeve u zbulua edhe një rast korrupsioni, ku u arrestuan 7 persona, mes të cilëve dy janë gazetarë dhe një tjetër person është në kërkim. Gazetarët e arrestuar Suela Musta, anëtare e bordit të AMA-s dhe Izmir Hajdari. Po ashtu në pranga ka rënë edhe Andrea Nathanaili, ish-këshilltar në AMA, pedagog i ligjit të medias në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë. Të gjithë të arrestuarit akuzohen për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”. Gazetarët akuzohen se duke qenë pjesë e AMA-s kanë ndikuar në dhënien e licencës kabllore për fisin Çapja. Në prangat e policisë përfunduan zyrtarët, Bledar Karaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan; Adem Boriçi, 61 vjeç, lindur e banues në Elbasan, pronari i i televizionit privat kabllor “Brado” me frekuencë në Bradashesh/ Licencën e ka marrë në vitin 2011; Andrea Nathanaili, 67 vjeç, lindur Sarandë dhe banues në Tiranë – Ish-Këshilltar në AMA; Suela Musta 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, anëtare e Autoritetit të Medias Audivizive; Izmir Hajdari, 51 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë – Gazetar dhe ish-inspektor i AMA; Artan Drazhi, 34 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan; Shkëlqim Sula, 38 vjeç, lindur dhe banues në Labinot Mal-Elbasan, i cili u shpall në kërkim; Ervin Tahiri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tropojë, pronar i TV kabllor “Tata Junior” Si rezultat i hetimeve u arrit që përmes provave ligjore të dokumentohej aktivitetit korrruptiv i shtetasve të mësipërm, si dhe u ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest me Burg” për veprat penale, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.
Elvis Myrta