Konstitucionalisti Sokol Hazizaj komentoi ditën e djeshme situatën politike të krijuar pasi Presidenti i Republikës, Ilir Meta ç’dekretoi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Në një prononcim mediatik, Hazizaj deklaroi se për nismën e mazhorancës për të shkarkuar presidentin në fund vendos vetëm Gjykata Kushtetuese. “Ai që i vë vulën qenësisë apo jo qenësisë, mënyrës, formës dhe përmbajtjes së shkarkimit të Presidentit, është Gjykata Kushtetuese. Pse detyrimisht një Kuvend, i cili është vetë në pikëpyetje, për shkak të mungesës së përgjegjësisë së parlamentarizmit në Shqipëri, një Kuvend që nuk e ka realizuar 140 kuorumin e vetë. Pse e fut në këtë lloj kleçke që nuk është e karakterit juridik, por është kleçkë e pamundësisë politike për të zgjidhur gjërat?!”, deklaroi Hazizaj. Ai foli edhe rreth mundësisë për të ankimuar dekretin e presidentit për zgjedhjet tek Gjykata Administrative. Sipas tij, kjo gjë nuk mund të ndodhë sepse në këtë rast akti i Metës është gjithëpërfshirës. Megjithatë ai pranoi se vendimi i Ilir Metës nuk është askund i parashikuar në Kushtetutë. “Nuk duhet të pranohet që “topi” t’i kalojë Gjykatës Administrative për një akt me karakter të përgjithshëm të presidentit, efektet e të cilit nuk shtrihen te një individ. Akti i prodhuar nga presidenti për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, ndonëse nuk është i parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj, është i moralshëm për shkak të parashikimit të barazisë së shtetasve në procesin e votimit”, theksoi avokati. Hazizaj bëri me faj politikën, pasi sipas tij, sot asnjë nga organet publike, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, nuk po i ushtron funksionet publike. “Në momentet të veçanta, presidenti nuk i ushtron funksionet e tij. Për më tepër i tensionuar nga qeveria, pse jo edhe nga kryeministri dhe me radhë, kryetari i opozitës rren mbas disa gjërash që nuk janë pjesë e konfliktit politik”, tha konstitucionalisti. Hazizaj lëshoi një apel që krerët e vendit të ulen e të lexojnë vet të drejtat dhe detyrimet kushtetuese që ju ka dhënë pushteti. “Mjafton të ulen dhe ta lexojnë vetë, të mos presin nga të tjerët”, u shpreh Sokol Hazizaj.