Rudina Hajdari kundër Metës: Shkeli Kushtetutën, të diskutonte para se të anulonte zgjedhjet

0
325

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari doli dje kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të ç’dekretuar zgjedhjet e 30 qershorit. Nga një studio televizive, ajo deklaroi se Meta ka shkelur Kushtetutën me këtë vendim. “Unë shikoj se presidenti nuk është i fiksuar nga kjo gjë. Madje, unë shoh një taktikë politike, gati në viktimizim. “Dëgjoni se unë po shkarkohem se po bëj një akt për Shqipërinë dhe të tjera”. Unë mendoj se duhet t’i ulim këto lloj tonesh dhe të mos bëjmë populizëm. Ne mund ta propozojmë edhe vetë shkarkimin e Metës, i kemi 35 deputetë. Çështja nuk është do të votojmë apo jo, ne do ta shohim çështjen hap pas hapi. Unë besoj se edhe vetë zoti Meta e di që ka shkelur Kushtetutën. Ai e di shumë mirë që i ka shkelur kompetencat e tij. Presidenti është në një situatë shumë të vështirë. Unë do të doja që Presidenti të kishte pasur më shumë përpjekje, thirrje konkrete, për Gjykatën Kushtetuese, reformën zgjedhore dhe datën, të cilën ka për detyrë ta caktojë”, tha Rudina Hajdari. Sipas saj, para se Meta të merrte vendimin, duhet të kishte dialoguar dhe diskutuar me të gjitha forcat politike për të parë edhe qëndrimin e tyre. “Nuk kam parë te presidenti një përpjekje për të pasur një dialogim mes palëve. Ai thotë se e bën këtë për të unifikuar popullin, por ai duhet të kishte pasur disa përpjekje paraprake, duhet të kishte dialoguar”, tha ajo. Rudina Hajdari theksoi se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje me këtë sistem zgjedhor dhe presidenti duhet të nxisë diskutim për këtë pjesë. “Presidenti duhet të kishte përfshirë edhe faktin që vendi ka nevojë për një reformë zgjedhje. Nëse ne flasim për të pasur zgjedhje, atëherë si do të sigurohemi që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fakti që nuk përfshihet, tregon se ka një anashkalim të rolit të Parlamentit, të rolit të opozitës. Këtë gjë, presidenti duhet ta shohë me vëmendje. Presidenti duhet t’i thotë Parlamentit që të merret me reformën zgjedhore. Të rishikohet sistemi aktual, pasi ndoshta ka sjellë këtë krizë. Nuk duhet të hedhim topin dhe të mos bëjmë asgjë tjetër”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here